Rama perjashton nga PS, Fatos Tushen

Politike

Teksa ka mbledhur kryebashkiakët socialistë në të gjithë vendin, kryeministri Edi Rama padyshim që e nisi takimin me lajmin se Fatos Tushen e Lushnjes jo vetëm që e ka shkarkuar nga detyra publike që mbante, por edhe e ka larguar nga Partia.

Rama tha se PS nuk do të marrë në mbrojtje asnjë kryebashkiak që kapet në akte korrupsioni, dhe mbrojtja e tyre përpara drejtësisë duhet të bëhet vetëm nga avokatët.

Rama:

Shkaku që është përshpejtuar takimi, është ai i arrestimit i kryebashkiakut të Lushnjes. Nuk është detyra ime dhe as e PS-së që të kërkojmë pafajësinë e tyre, ky është rasti për t’ju përsëritur juve dhe gjithë të tjerëve që kanë marrë apo marrin besimin e shumicës sonë, se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga shqiptarët për ti shërbyer qytetarëve të saj.

Korrupsioni, rryshfeti, bakshishi, nuk kanë ngjyrë politike, dhe janë e zeza me të cilën ne do të përballemi në rrugën për të ndërtuar drejtësinë, duke refuzuar çdolloj mbrojtje për secilin prej nesh që mund të jemi pjesë e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Lushnjes do të shkarkohet nga detyra dhe do të largohet nga PS, masa që do të rishihen vetëm në rast se ai do të shpallet i pafajshëm. Ne i marrim këto masa për të dhënë një mesazh të qartë për ata që janë përgjegjës për taksat e qytetarëve.

(E.K/Faxweb.al)