Rama i vë afat 12 drejtorëve të Policisë: “Gjeni komisarët që luajnë me dy porta”

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama i ka caktuar sot drejtuesve të Policisë së Shtetit 100 ditë, afatin maksimal për të rivendosur trupën policore në shërbim të qytetarëve. Rama tha se brenda 100 ditëve, pret që policia të nxjerrë mësimet duke lëshuar çdo shef komisariati që luan me dy porta, apo efektivët e korruptuar.

PJESË NGA FJALA E RAMËS:

Dua ta mbyll aty ku e nisa duke ju thënë se pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është domethënës, se aty ku pritshmëria është e lartë, besimi se gjërat mund të bëhen është i madh. S’ka arsye pse qytetari të ndeshet me një polic që e ndalon dhe i kërkon lekë, që i thotë në sy të gruas dhe fëmijëve i bën presionin mizerabël të pengmarrësit në mes të rrugës. S’ka arsye, s’ka pse dhe forca e shembullit tuaj është themeli i kësaj rruge. Nëse ju ndiqni prioritetet dhe e ktheni besimin jo tek drejtori dhe ministri por tek detyra, do të arrihet një nivel i ri. Keni 100 ditë kohë, 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit.

Asnjë ditë më shumë, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në nivel tjetër. Asnjë shkencë apo luftë me një të panjohur por thjesht gjërat që i dini dhe dini ti bëni mirë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepet shembulli që s’ka pandëshkueshmëri, ju se keni problem të gjeni komisarë që luajnë me dy porta. 100 ditë. Ky është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark. Policë rrugorë, Shqiponja, ata që rrinë si të infiltruar para trupit duhet të shkojnë para drejtësisë.