Bushati: Ambasadorët janë legenosur

Analize Shkrime

Sipas analistit Andi Bushati, që publikon një koment në Lapsi.al, askush nuk ka pse habitet se përse socialistët kapën edhe një institucion më shumë.

“Deri këtu janë gjëra që dihen e stërdihen. Ndaj shpesh, diplomatët e huaj e vendosin veten në rolin e lolos, kur bëjë sikur nuk kuptojnë se ky është tashmë një realitet i pakthyeshëm.

Mjafton vetëm një shembull për ta ilustruar këtë. Po të shikoje lajmet e ditëve të fundit të binte në sy një fakt i çuditshëm. Ndërkohë që selitë diplomatike po përpiqeshin, të paktën me zë, ta pengonin kapjen e AMA-s, në mediat vendase nuk pikasej asnjë lloj note proteste, as një kritikë, madje as një thirrje për përmbajtje nga televizionet e mëdha dhe më pak të tilla. Pra përfaqësuesit e shteteve të tjera ishin më të shqetësuar se sa Klani, Top Channel, News 24 apo Vizion Plus, se arbitrin e tregut mediatik vendas po e caktonte Edi Rama,” shkruan Bushati.

Sipas tij, ambasadorët e huaj po duken përditë e më shumë qesharakë duke u sjellë sikur nuk e shohin që mbreti është lakuriq.

“Duke u hequr sikur ushtrojnë presion aty-këtu, sikur po ndreqin ndonjë gabim të bërë nga mungesa e përvojës demokratike, sikur po ruajnë vlerat e liberalizmit dhe liritë e pacenueshme, ata vihen në pozicionin e idiotit të dobishëm. Nga ky këndvështrim, Ambasada e SHBA-së, që as nuk u prononcua për këtë sprapsje të lirisë së medias, u tregua më serioze. Cinikë në pragmatizmin e tyre, siç dinë të jenë amerikanët, ata po demonstrojnë se lojës sikur jetojmë në një regjim demokratik, i duhet dhënë fund. Tani, me Edi Ramën, Shqipëria ka një dorë të fortë dhe çështja shtrohet vetëm nëse je pro, apo kundër tij.

Këtë e kuptuan së toku disa ambasadorë për këshillat e të cilëve lideri jo vetëm nuk pyeti, por i vuri edhe Taulant Ballën që t’i tallte”.