Rama fundos dhe mohon kryebashkiakun e PS

Aktualitet

Ende pa dalë detaje dhe një komunikatë zyrtare e SPAK, kryeministri Edi Rama ka flakur dhe ka mohuar kryebashkiakun e Lushnjes, vetëm brenda 5 minutave nga dalja e lajmit të arrestimit të tij.

Rama flet për përgjegjësi individuale dhe distancon Partinë Socialiste që e bëri kryebashkiak dhe qeverinë e tij, por harron se Fatos Tusha akuzohet për korrupsion në bashkëpunim.

Rasti Tusha është vetëm një pjesëz e asaj që po ndodh me pasuritë publike dhe lejet e ndërtimit në çdo cep të vendit, ku qeverisin kryebashkiakët socialist.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, është distancuar me shpejtësi Rama ndaj kryebashkiakut të tij në Twitter.