Një prokuror i SPAK dhe një i Fierit të përfshirë në trafik droge

Aktualitet

Përveç prokurorit të Vlorës, Maksim Sota dhe atij të SPAK, i dyshuar si i përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit si pjesë e kontakteve që grupi kriminal i drejtuar nga Ilirjan Zaimi Duçellari kishte krijuar, dyshohet se është edhe një prokuror në Fier.

Hetimet vijojnë dhe në vazhdim pritet të zbardhen detaje të tjera të ‘rolit’ të prokurorit. Operacioni ‘Shpirti’ është ende duke vijuar dhe ndjekur nga prokurorët Vladimir Mara e Dritan Prençi, ndërsa pritet që në pak ditë përballë drejtësisë të jenë të tjerë persona.

Një ditë më parë gjykata la në fuqi masat e dhëna më herët për 24 arreste në burg e katër arrest shtëpi, ndërsa sipas dëshmitarëve të drejtësisë ky grup kishte akses nga fikja e radarëve e deri tek mbyllja e proceseve.

Po ashtu ata kanë thënë për hetuesit e anti-mafias në Puglia e prokurorët e SPAK se rruga tokësore për të mos prekur askush drogën sigurohej nga ish-nëndrejtori i Vlorës, Ilirjan Balla.

Në krye të këtij grupi sipas dëshmitarëve ishte Ilirjan Zaimi dhe dy ish truprojat e ish ministrit Saimir Tahiri, Agustin Deda dhe Hekuran Marku tashmë të shpallur në kërkim.

Ata dyshohet se fshihen në Spanjë, ndërsa policia shqiptare e SPAK po bashkëpunojnë me homologët e tyre për t’i arrestuar. Ndërsa këtë të hënë këshilli i lartë i prokurorisë pezulloi nga detyra prokurorin Maksim Sota dhe drejtuesin e prokurorisë Kukës Edmond Karriqi, të dy të proceduar nga SPAK. /Shqiptarja.com