Thomas Muller iu kërkon falje gjermanëve

Sport

Thomas Muller i dha një dorë eliminimit të Gjermanisë nga “Euro 2020” qysh në 1/8 finale. Po të kishte shënuar atë gol, kur doli vetëm për vetëm me portierin anglez, rezultati do të ishte barazuar 1-1 dhe me siguri rrjedha e lojës do të kishte qenë tjetër nga përfundimi 2-0 për “Tre Luanët”. Veterani i Bayern Munich, duke parë irritimin ndaj tij në rrjetet sociale, kërkoi falje në Instagram.

Ai postoi një mesazh të gjatë dhe foton me duart në fytyrë për shkak se nuk realizoi atë mundësi të shkëlqyer kundër Anglisë: “Ai moment, që do ta kujtoj deri në fund të jetës, më bëri të mos fle sonte. Një moment për të cilin punon, stërvitesh dhe jeton si futbollist. Ai moment kur ke në këmbë rikthimin e skuadrës tënde në lojë në një ndeshje nokauti. Ju keni shansin të kaloni një komb të tërë në ekstazë. Të kesh këtë mundësi të tillë dhe më pas ta lësh të të ikë nga dora…

Kjo gjë do të më lëndojë deri në vdekje. Më dhemb për të gjithë Gjermaninë, për shokët e mi të skuadrës dhe trajnerin tonë, i cili më dha besimin për të qenë aty në atë moment. Por, mbi të gjitha më dhemb për të gjithë tifozët e Gjermanisë që kanë qëndruar pranë nesh dhe na kanë mbështetur gjatë këtij Kampionati Europian. Faleminderit për mbështetjen tuaj!”