Soreca i bën presion Kushtetueses në favor të Veliajt

Aktualitet

Aleanca për Teatrin Kombëtar ka dalë në një deklaratë për mediat ku shprehen se kanë dorëzuar një denoncim për ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.

Sipas tyre, Soreca është parë duke hyrë në dyert e Gjykatës Kushtetuese, ku ka takuar kryetaren e gjykatës, duke u munduar të lobojë pro kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përfaqësuesja e Aleancës për Teatrin tha se ‘tashmë nuk duhet të lëmë që shqiptarët të varen nga ambasadorë të huaj, të cilët vendosin fatet e vendit me lobimet e tyre’.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thënë se do të kërkojë shpalljen “non grata” të ambasadorit Soreca.

DEKLARATA

Anëtarë të Aleancës për Teatrin, të cilët punojnë tek bizneset të godinës së Gjykatës Kushtetuese, kanë konstatuar se ditën e mbajtjes së seancës, Luigi Soreca ka bërë një takim jopublik me kreun e gjykatës në 16 qershor dhe më pas ka dalë nga dera e pasme.

Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e dimë përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance. Kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim ka pasur interes publik, kemi kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar.

Për ne fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cenon shumë legjitimitetin e kryetares së Gjykatës dhe pavarësinë, ndërkohë që kanë kryer këtë takim pa e bërë publik për mediat.

Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar pro kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se do e lëmë të kalojë aq lehtë.