I dënuar me burg në Greqi, shtyhet vendimi për kryebashkiakun e Mallakastrës në KQZ!

Aktualitet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shtyjë për ditën e premte, seancën për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailajn. Kërkesa për shtyrjen e seancës dëgjimore u kërkua nga avokati i tij Besnik Strati, i cili kërkoi më shumë kohë për të bërë mbrojtjen e klientit të tij. Sipas tij, Prokuroria e Prëgjithshme nuk u kishte dorëzuar ende dokumentacionin e plotë, ndaj dhe nuk kishtë pasur mundësi për të hartuar mbrojtjen. Kërkesa e tij u miratua nga kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili caktoi edhe datën e radhës. 

PJESË NGA BISEDA: 

Besnik Strati: Kam bërë një kërkesë në Prokurorinë e Përgjithshme për vënien në dispozicion të informacioneve të thelluara. Do kërkoja një seancë tjetër dëgjimore për të bërë një mbrojtje më efektive. E kam kërkesë me shkrim. Është afat shumë i shkurtër. Edhe një ditë mjafton sa për të marrë…Nëse ju e vlerësoni.

Ilirjan Celibashi: Mirë dakord, do ta pranojmë kërkesën tuaj se pashë edhe prokurën, ishte e ditës së sotme. Vetëm këtë kërkesë kishit?

Besnik Strati: Po. Të na jepej mundësia të merrja dokumentat nga Prokuroria.

Ilirjan Celibashi: Mirë atëherë do ta lëmë të premten. Pasnesër! Dakord? Të premten, ora 11:00.

Qerim Ismailaj, tashmë pritet të shkarkohet pas rikthimit të përgjigjes nga pala greke, se akuzat e PD janë të vërteta. Në vitin 1999, ku ai ishte emigrant në Greqi, Qerimaj punonte si punëtor ndërtimi, ku ka patur një problem me pronarin e firmës pasi ky i fundit nuk e kishte paguar.

Gjatë sherrit, pronari grek ishte rrëzuar dhe për pasojë, policia arrestoi Qerimajn, i cili u arrestua dhe dënua me 3 vite burg. Dënimi nuk ishte deklaruar në formularin për dekriminalizimin dhe pritet që atij ti hiqet mandati i kryetarit të bashkisë. Nga ana e vetë Qerimajt, nuk ka asnjë reagim.