Masakra në Velipojë! Kamerat e sigurisë s’tregojnë asgjë

Aktualitet

Kamerat e sigurisë së dy hoteleve në Shëngjin, nuk tregojnë asgjë. Për shkak të errësirës së natës dhe mungesës së ndriçimit, në pamje dallohen vetëm qitjet e armëve të zjarrit, por nuk kuptohet se kush ka qëlluar i pari.

Deri më tani, bëhet me dije se natën e masakrës në vendin e ngjarjes janë përdorur 3 armë zjarri dhe një automatik. 3 pistoletat janë sekuestruar nga Policia, ndërsa arma tip kallashnikov, gëzhojat e të cilës ishin në vendin e ngjarjes, ende nuk është sekuestruar nga Policia. 

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 27 qershorit, pas një konflikti mes dy familjeve për vendin e disa shezlongëve shkaktoi 4 viktima dhe 2 të plagosur. Në vend ndërruan jetë: Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç, ndërsa u plagosën Hasan Ferracakut dhe Elmilind Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.

Musaen Zeneli është viktima më e pafajshme e kësaj ngjarje të rëndë, që kishte filluar vetëm dy ditë më parë punë si kamerier në hotelin Gocaj për të ndihmuar familjen, të cilën e kishte në gjendje jo të mirë ekonomike.