Sot, shansi i fundit në “Euro2020” për Spanjën dhe Kroacinë

Sport

Pas eliminimeve të dhimbshme në aktivitetet madhore, Spanja ka rastin për t’u kthyer në rrugën e duhur, teksa do të masë forcat në fazën e 1/8 me përfaqësuesen e Kroacisë. Dy vendet kanë pësuar rënie dhe sigurisht nuk po përjetojnë momentet e tyre më të mira, megjithatë është e qartë që një kalim në fazën çerekfinale do të përmirësonte situatën, duke rikthyer besimin te ekipi që do të meritonte kualifikimin mes tetë përfaqësueseve më të mira në këtë edicion të 16-të të kampionatit europian.

Në europianin e fundit Spanja e Vicente del Bosques u eliminua që në fazën e 1/8 nga Italia e Antonio Contes, ndërsa Kroacia në krahun tjetër u mposht që në raundin hapës të fazës së “knock out”-it nga Portugalia e Cristiano Ronaldos, pra pikërisht vendi që fitoi titullin, falë një goli të realizuar në 117’ nga Ricardo Quaresma.

Kohët kanë rrjedhur shpejt dhe finalja e humbur në Moskë, me Francën në Kupën e Botës tre vjet më parë, i përket të kaluarës, pasi në Kroaci janë duke u ndërruar brezat dhe tani është vërtet shumë e vështirë që të pretendohen rezultate menjëherë nga një seleksion i tillë. Nga ekipi janë larguar emra të rëndësishëm, disa prej tyre madje edhe e kanë lënë futbollin, sidoqoftë trajneri Zlatko Dalic nuk ka gjetur ende zëvendësues për lojtarë si Mario Mandzukic apo Ivan Rakitic.

Kroacia ka rrëshqitur jashtë dhjetëshes së parë të FIFA-s dhe aktualisht kjo përfaqësuese pozicionohet në vendin e 14-të në renditjen botërore. Gjithsesi është e qartë që me shumë gjasa ky do të jetë europiani i fundit për emra të tillë si Dejan Lovren, Domagoj Vida, Luka Modric, Milan Badelj dhe Ivan Perisic.

Zlatko Dalic nuk do të ketë në dispozicion një futbollist tepër të rëndësishëm si Ivan Perisic, ndërsa Luis Enrique në krahun tjetër i ka të gjithë në apel. Kroacia ka fituar 2 nga 3 sfidat e fundit mes tyre, gjithsesi vetëm dy muaj pasi ishin shpallur nënkampionë të botës, futbollistët e drejtuar nga Zlatko Dalic, pësuan një humbje me shifra tenistike 6-0 në qytetin e Elche-s.

Bilanci në 4 sfidat kompetitive është i barabartë 2-2, ndërkaq Spanja kryeson statistikat e përgjithshme 4-3 me fitore në 8 ndeshjet ndërmjet tyre. Takimi Kroaci-Spanjë do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Parken” të Kopenhagenit dhe do të drejtohet nga kryesori turk Cuneyt Cakir.