I vihet flaka 60 shezlongëve në Dhërmi, qëllojnë edhe me armë.

Aktualitet

Pas Velipojës, përplasje për shfrytëzimin e vijës bregdetare janë shënuar edhe në jug të vendit, më konkretisht në Dhërmi. Pas mesnatës, rreth orës 01:00 të mëngjesit, në plazhin e Drimadhes (Dhërmi) janë djegur 60 shezllone të një biznesi të vogël që operonte në atë plazh. Biznesi është në emër të Bilbil Domit, i cili sapo kishte marrë leje për shfrytëzimin e plazhit, por mesa duket i ka shkelur në “kallo” dikujt.

Djegia ka qenë e qëllimshme dhe shkak është bërë një konflikt i mëparshëm midis bizneseve për shfrytëzimin e vijës bregdetare. Po ashtu të njëjtat burime për Dosja.al bëjnë me dije se në zonë janë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Mesa duket të shtënat janë lëshuar në një formë paralajmërimi, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi vendin në Velipojë, ku vdiqën 4 persona. 

55-vjeçari mësohet se ka deklaruar në polici se nuk mund t’i vërë gishtin askujt, por ka pasur pakënaqësi nga bizneset përreth për lejen e marrë. Ndërkohë që ende nuk ka të shoqëruar nga Policia lidhur me ngjarjen. 

Ndërkohë që jo më larg se mbrëmjen e kaluar vendi ynë u trondit nga një ngjarje e rëndë në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona. Musaen Zeneli ishte viktima më e pafajshme. Tre të tjerët që mbetën të vrarë në masakrën e Velipojës janë Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç dhe Edmond Gocaj 38-vjeç.

Ndërkohë që vëllai i Kujtim Ferracakut, 54-vjeçari Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar Elmilind Dyli, janë plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Ata janë vënë në pranga ndërsa tre djemtë e Hasan Ferracakut janë shpallur në kërkim. Anëtarët e familjes Ferracaku u përleshën me ata të Gocajt për të ndarë shezlongët për hotelet që kanë në pronësi por sherri degradoi në përdorimin e armëve.