“Salillari” fitoi tenderin e dyshimtë për shkatërrimin e perlës natyrore

Aktualitet

Nga Boldnews.al

Albert Gjergji, një prej zërave kritikë të prishjes së burimeve të Sinecit në Kuçovë, ka publikuar në rrjete sociale foto të mrekullisë natyrore që rrezikon të shkatërrohet nga një projekt kontrovers për ndërtimin e një ujësjellësi për fshatrat e zonës.

Gjergji, së bashku me banorë të tjerë të Lumasit, kanë reaguar për vendimin e Bashkisë së Kuçovës, i cili po zbatohet nga kompania shumë pranë qeverisë, “Salillari”, i cili parashikon bllokimin e burimeve natyrore të zonës.

Disa ditë më parë, qytetarët në zonë u përplasën ashpër edhe me forcat e Policisë lokale, pasi tregohen të vendosur për të penguar shkatërrimin e një prej perlave natyrore të vendit tonë.

Në foto: Pamje nga burimet e Sinecit, Kuçovë

Ky është Sineci, aty ku vazhdon beteja për ujin”, shkruan në profilin e tij në rrjete sociale “Albert Gjergji”.

Projekti i dyshimtë

Burimet e Sinecit janë përfshirë në një projekt për ndërtimin e ujësjellësit që pritet të furnizojë disa fshatra në Kuçovë.

Në fillim të dhjetorit 2020, Bashkia e qytetit shpalli tenderin “Ndërtimi i ujësjellësit për fshatrat Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Sheqëz, Vodëz, Krekëz dhe Koritëz Njësia Administrative Lumas gjithashtu dhe ndërtimi i pjesshëm në fshatin Tapi, Njësia Administrative Perondi, Bashkia Kuçovë ”.

Fondi limit për këtë tender ishte 3.61 miliardë lekë të vjetra dhe duket se gjithçka ishte paracaktuar për t’ia dorëzuar projektin shoqërisë “Salillari”.

Në bazë të dokumentave zyrtare rezulton se morën pjesë 3 kompani. Dy prej tyre u skualifikuan, pasi, sipas Bashkisë së Kuçovës, nuk plotësonin kriteret e kërkuara nga autoriteti kontraktor.

Në foto: Njoftimi i Bashkisë Kuçovë për tenderin e ujësjellësit

Kriteri skualifikues për dy kompanitë ishte fakti që ato nuk kishin të punësuar 400 persona, një shifër jashtëzakonisht e lartë për kompanitë në Shqipëri dhe që plotësohet nga një numër tejet i kufizuar shoqërish private.

Për më tepër që objekti i kontraktuar, nisur nga fondi limit, nuk ngjan aspak me sipërmarrje gjigande, si aeroporte apo autostrada me gjatësi të mëdha.

Nga ana tjetër, dy konkurentët e “Salillarit” paraqitën oferta më të ulta ekonomike. Por, Bashkia e Kuçovës eliminoi konkurencën dhe zgjodhi kompaninë e Pëllumb Salillarit për të ndërtuar ujësjellësin e zonave rurale.

E, bashkë me ujësjellësin, pjesë e projektit që po zbatohet nga “Salillari” është edhe shkatërrimi i burimeve të Sinecit, një akt që ka shkaktuar revoltën e banorëve të zonës.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?