Zyrtare, Antonio Conte largohet nga Interi

Sport

Tashmë e gjitha zyrtare, Interi dhe Antonio Conte divorcohen pas dy vitesh së bashku. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i Interit, e cila thotë se janë ndarë me anë të një marrëveshje të ndërsjelltë mes palëve, ku klubi zikaltër do t’i duhet t’i paguajë teknikut italian, 7 milionë euro për vitin e fundit të kontratës.

“FC Internazionale Milano mund të konfirmojë që është arritur një marrëveshje me Antonio Conte për zgjidhjen e kontratës së tij me pëlqimin e ndërsjellë.

Klubi do të donte të falënderonte Antonio për punën e jashtëzakonshme që ai ka bërë, duke arritur kulmin në titullin e 19-të të Interit në fluturim të lartë. Antonio Conte do të mbetet përgjithmonë një pjesë e historisë së Klubit tonë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Interit.

Mediat italiane, shkruajnë se zëvendësuesi më i mundshëm i Contes në Inter, do të jetë Simone Inzaghi, i cili pritet të largohet nga drejtimi i Lazios.

Sipas mediave pranë Interit, tekniku ishte i pakënaqur nga klubi, për mënyrën e si do të menaxhohej e ardhmja. Klubi kërkonte që të uleshin pagat e lojtarëve, si dhe të hiqte dorë nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës, nëse në drejtim të klubit do të vinte një ofertë e majme.

Conte ka qenë kundër këtyre zhvillimeve, e preferoi të largohej nga drejtimi i Interit. Por, tifozët janë kundër.

Ata ditën e sotme kanë protestuar përpara selisë së Interit në Milano, ndaj këtyre zërave, e kërkuan qëndrimin e Contes e të lojtarëve. Madje, i bënë thirrje presidentit Steven Zhang, që të marrë përsipër përgjegjësitë, ose në të kundërt të largohet nga Milano.

Kërkesat e Contes kanë qenë të qarta, ai donte të ndërtonte një ekip fitues, jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë, e për këtë, një nga kërkesat ishte që të ruhej kontingjenti aktual i lojtarëve, madje të bëhej edhe një investim i rëndësishëm, pjesë këto të projektit që ata kishin hartuar para dy vitesh, kur tekniku u emërua në krye të klubit.

Por, pandemia duket si shkaku që ka sjellë një dëm të madh ekonomik në Inter, e transferimet e çmendura në këto momente, duket si diçka e pamundur.