WhatsApp padi kundër qeverisë indiane për shkelje të privatësisë

Teknologji

WhatsApp ka paraqitur një sfidë ligjore kundër rregullave të reja të qeverisë indiane, që hyjnë sot në fuqi dhe kërkojnë që platforma e mesazheve të gjurmojë dhe identifikojë krijuesin e mesazheve të veçanta.

“Shoqëria civile dhe ekspertët teknikë në të gjithë botën vazhdimisht kanë argumentuar se një kërkesë për të gjurmuar mesazhe private do të thyente kodimin “nga skaji-në-skaj” dhe do të çonte në abuzim të vërtetë”, tha një zëdhënës i WhatsApp.

“WhatsApp është i angazhuar për të mbrojtur privatësinë e mesazheve personale të përdoruesve dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi brenda ligjeve të Indisë për ta realizuar këtë”, shtoi ai.

Qeveria indiane akuzoi sot WhatsApp për paraqitjen e sfidës ligjore në minutën e fundit, me synim shmangien e zbatimit të udhëzimeve që, sipas saj, kanë për qëllim mbrojtjen e sigurisë së Indisë dhe parandalimin e përmbajtjes së dëmshme dhe abuzive.