Italia vlerëson Inva Mulën me ‘Urdhrin e Yllit të Italisë’
Sopranos shqiptare Inva Mula, i është dorëzuar Titulli i lartë ‘Urdhri i Yllit të Italisë’. Vlerësimi nga shteti Italian i vjen artistes me motivacionin e kontributit të përhapjes së artit Italian në botë.
Mula u nderua me titullin nga presidenti Sergio Mattarella, titull ky I dorëzuar nga ambasadori I Italisë Fabrizio Bucci në ambientet e rezidencës italiane në Tiranë.
Duartrokitjet dhe përqafimet e para vijnë nga bashkëshorti dhe e bija. I pranishëm në atë rreth të ngushtë personash, në mbështetje të mikes së tij, ishte dhe një tjetër artist shqiptar me famë ndërkombëtare, tenori Saimir Pirgu.
Ndërsa mban në duar çmimin dhe mes rreshtash lexon motivacionin për të cilin është vlerësuar, Inva Mula sjell në kujtesë veprat e mëdha të kompozitorëve italianë që nën interpretimin e zërit të saj kanë ngritur jo pak herë peshë zemrat e publikut në skenat operistike të botës.
Inva në shumë pak rreshta na zbulon edhe diçka për një projekt madhor, në Kosovë.
“Kam marrë shumë tituj nga shumë vende të botës. Por kjo më ka prekur, sepse të gjithë ne artistët kemi nevojë për këtë kulturë italiane. Shumë e bukur për arsye se këtu vetë muzika, arti nuk kanë kufij. Po të bëjmë një retrospektivë të karrierës, rolet më të bukura që më kanë hapur dyert në botë janë veprat italiane. Është vit dëshpërues për të gjtihë artistët. Kam komunikuar me shumë artistë. Kemi qarë hallet me njëri-tjetrin. Të gjithë artistët kanë treguar dëshirën për të qenë përpara publikut. Unë vetë kam bërë bashkëpunime me kolegë në vende të ndryshem të botës. Ka qenë dëshirë e brendshme që nuk e mposht dot asgjë. Vazhdoj një projekt shumë të bukur, që për mua është detyrim ndaj kombit. Çfarë është një artist nëse nuk ka dhënë kontribut? Kontributi nuk është vetëm në skenë. Kontributi është diçka që të mbahet mend dhe projekti që po bëjmë është diçka që do mbahet mend”, tha Inva Mula.