Basha: Partia Demokratike është më e madhe se arritjet apo gabimet tona

Politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me mbështetësit e PD. Në fjalën e tij në Berat, Kuçovë dhe Dimal, Basha tha se PD është një parti me përgjegjshmëri politike. Kryedemokrati theksoi se PD del më e fortë pas çdo humbjeje.


FJALA E PLOTË E LULZIM BASHËS:  

Berat, Jemi të vetëdijshëm se jo vetëm në Berat po anembanë Shqipërisë, ne qëndruam fuqishëm. Ju qëndruat me kurajën më të madhe në një fushëbeteje ku ai vinte me kriminelët dhe paratë e oligarkëve dhe ne shkonim me ndershmëri, me program, me ide, me vizion dhe me zemrën e hapur për njerëzit. Dhe në vend që të bëheshim më të dobët dhe më të pakët, në një situatë ku për herë të parë që nga 91-shi nuk kishim asnjë pushtet dhe shkonim tek qytetarët të barabartë me të, më 25 prill pavarësisht të gjithë makinacioneve dolëm më të fortë, më të mëdhenj, më të bashkuar dhe padiskutim për këtë merita i takon në radhë të parë mbi të gjitha demokratëve.

Pra, edhe në këtë moment nuk duhet të harrojmë se ajo që na mbledh këtu është të qenit njerëz me përgjegjësi politike. Dhe si njerëz me përgjegjësi politike, duke përfaqësuar Partinë Demokratike, të vetmen forcë në Shqipëri dhe në Ballkan që i ka mbijetuar sfidave dhe vështirësive të 30 viteve dhe të fatit, jemi mbledhur këtu përsëri të vetëdijshëm se jemi të vetmit që kemi fuqinë, përvojën dhe kurajën për ta çuar deri në fund betejën tonë për ndryshim. Tani e vërteta është që se kemi bërë këtë punë për Bashën, apo jo? As për Tomorin, as për Kasemin, as për  kandidatët e tjerë. S’e kemi bërë për veten tonë. Shqiptarët na ndoqën sepse e besuan që ne po e bënim këtë për ta, këtë betejë po e bënim për Ta, të vetëdijshëm që ne ishim e vetmja fuqi që  mund t’i kundërviheshim regjimit. Dhe  shqiptarët kam bindjen e thellë do të vazhdojnë të na ndjekin nëse japim garanci që betejën do ta vazhdojmë për ta.

Por barra e përgjegjësisë padiskutim historike bie mbi ne. Prandaj jo vetëm u jam përjetësisht mirënjohës për këtë sakrificë të çdo demokrateje dhe çdo demokrati të Beratit, të Skraparit, Poliçanit, të Kuçovës, të Urës Vajgurore dhe të gjithë Shqipërisë, por po kështu ju siguroj që asnjë pikë djersë dhe mund nuk mund dhe nuk do të shkojë kot nga ky vetëmohim dhe nga kjo sakrificë.

Me përgjegjësinë më të madhe që na kanë ngarkuar shqiptarët përkundër të gjithë kushteve të betejës së 25 prillit, jam këtu t’ju kërkoj të vazhdojmë së bashku këtë përballje. I vetëdijshëm  për të gjitha çfarë kemi arritur bashkë, pavarësisht asaj dhe atyre që kishim përballë, por po kështu të gatshëm për të pranuar, për të ndrequr gjithçka që është në dorën tonë për t’u ndrequr. Unë e di që ju e doni Partinë Demokratike të jetë e bashkuar dhe e fortë dhe ju garantoj që ky është dhe prioriteti im i parë dhe kryesor që nga kjo garë, nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar dhe të fortë.

Partia Demokratike është më e madhe se gjithsecili prej nesh, duke filluar nga kryetari e deri tek anëtari më i thjeshtë dhe është edhe më e madhe se arritjet apo gabimet e gjithsecilit prej nesh, por vetëm bashkë me të gjitha arritjet dhe gabimet tona e di se mund dhe do t’ia dalim në krye për ta çuar deri në fund misionin me të cilën e kemi nisur betejën për ndryshim.

Kuçovë
Takohemi pak javë pas një prej betejave më të rrepta që ka njohur vendi dhe që ka kryer Partia Demokratike në 30 vite të pluralizmit. Një betejë e cila është luftuar në çdo cep të Shqipërisë, edhe këtu në Kuçovë nga demokratët e drejtuar nga ju dhe nga qytetarët e etur për ndryshim. Një betejë që siç e kam thënë prej ditës së parë, nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe rregullat demokratike sepse të vetëdijshëm siç kemi qenë prej ditës së parë, nuk hyjmë në betejë me një kundërshtar politik, por me një regjim i cili i ka bërë në një partinë dhe shtetin siç u demonstrua dhe u zbardh publikisht edhe nga misioni i OSBE-OHDIR dhe ka perfeksionuar skemën e bashkëpunimit me krimin e organizuar. Nga kjo pikëpamje, ndonëse stacioni i 25 prillit nuk përbën ndryshimin për të cilin luftuam, ndonëse ndryshimi përkohësisht është i ndalur, diçka e kemi arritur: kemi treguar forcën tonë, por dhe forcën e njerëzve. Sepse jemi përballur njësoj si në 91-shin, ne me asgjë dhe ata me gjithçka. Në këtë kuptim nuk duhet t’ja mohoni vetes tuaj meritën e betejës së jashtëzakonshme që keni zhvilluar në kushte të paprecedenta. Çfarë tjetër i bindi bashkëqytetarët tuaj në bashkinë e Kuçovës, në qarkun e Beratit dhe anembanë Shqipërisë që të na ndiqnin pa patur me vete as pushtet vendor, as institucionet e tjera? Ishte shpirti juaj, ishte fakti që shkritë gjithçka në këtë betejë. Dhe në këtë kuptim, ju them që megjithëse është një ditë shumë e vështirë për gjithsecilin prej jush, mos ja jepni kënaqësinë kundërshtarit dhe mos ja mohoni vetes krenarinë për atë që kemi arritur: që jemi bërë më të fortë. Dhe në sytë e tyre, padyshim shumë më të rrezikshëm për t’ju afruar objektivit tonë final që është rrëzimi i këtij regjimi. Ndaj, ju ftoj që atë që kemi arritur deri më 25 prill, ta vazhdojmë duke mos ju dorëzuar anti-vlerave. Me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar shqiptarët, jam këtu për t’ju kërkuar që të vazhdojmë së bashku rrugën që kemi nisur. Se gjëja e parë që kundërshtari ynë nuk do, është që ne të vazhdojmë të bashkuar dhe së bashku rrugën që kemi nisur. Keni parë, s’ka as festë, as buzëqeshje. Ka vetëm dredhira dhe diversione. Ftesa për bashkëpunim për vija të kuqe, pse? Hajduti e di krimin që ka bërë. Dhe përmes diversioneve, apo akoma më keq ftesave për bashkëpunim pa vija të kuqe, mendon se do ta hedh dhe do ta kalojë lumin. Mos t’ja japim kënaqësinë kundërshtarit që nga kjo garë që ne e bëjmë për të respektuar rregullat që na mbajnë bashkë, ta ndërpresim rrugëtimin që kemi nisur bashkë dhe që e kemi çuar shumë afër stacionit final. Le ta çojmë deri në fund këtë betejë që e kemi bërë krah njëri-tjetrit dhe ta bëjmë me të njëjtat vlera për të cilat jemi zotuar dhe me të cilat e kemi nisur. Që ne nuk përdorim shtetin, që ne nuk përdorim fondet publike për të blerë vota, ne nuk përdorim krimin për të intimiduar votuesit. Ne përdorim vetëm fuqinë e mendjes dhe të shpirtit tonë për të bindur qytetarët  që ne jemi zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme.

Urë Vajgurore – Dimal

Kush mendon se beteja mbaroi me 25 prill e ka gabim , kush mendon se do të na ulë në gjunjë e ka dy herë gabim. Pse? Sepse kemi dalë gjithmonë të bashkuar në betejë, të bashkuar ishim në betejën e 25 prillit dhe kërkesa ime e parë është që të bashkuar të dalim edhe nga kjo garë e brendshme e cila është një oportunitet shumë më i  madh se fushata normale që s’na jep kohë të flasim me njëri-tjetrin se po ju flasim qytetarëve që  të flasim me njëri-tjetrin drejtpërdrejt. Edhe për atë që na rëndon në zemër, padrejtësinë, zemërimin , edhe për vendosmërinë për ta kthyer këtë në energji për të vazhduar betejën, edhe për reflektimin e brendshëm të gjithsecilit nga unë i pari dhe çdokujt tjetër dhe për të gjetur brenda vetes tonë, edhe forcën për të ndrequr ato që kemi ne në dorë dhe detyrë të ndreqim brenda vetes tonë, brenda familjes tonë. Këtë qëndresë nuk e zgjodhët thjesht dhe vetëm për ardhjen në pushtet timen apo tuajën, por e zgjodhëm për t’i sjellë shqiptarëve atë që kërkonin dhe atë që meritojnë, ndryshimin. Atë për të cilin akoma  shpresojnë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë sot, shpresën për ndryshim dhe që nuk ka  ku ta gjejnë përveçse tek Partia Demokratike e cila nga kjo betejë ka provuar se ka forcën të dalë edhe me e bashkuar, edhe më e fuqishme edhe  pse është futur në betejë me duar të lidhur para një regjimi.

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments