Cilët do e gëzojnë Shqipërinë e re, qytetarët, apo krimi?

Analize

Edmond Arizaj

Realiteti i kamerave të Ramës vs Realiteti i kamerave të sigurisëCilët do e gëzojnë Shqipërinë e re, qytetarët, apo krimi? Krimi ka tre ditë që hedh valle mes qyteteve më të mëdha, mes njerëzve, në mes të ditës. Sikur na e zbeh pak gëzimin e ndryshimit rrënjësor që shohim përditë në FB e Ramës me kamerat profesionale, nga qendra e Pukës, deri tek Lungamare 2. Kryeministri natyrisht do të niste me krahasimet sofiste: Ka më pak vrasje se dikur, ka më shumë zbulueshmëri, hanë kokat grupet kriminale etj.

Nuk ka të dytë si ai për të gjetur përgjigjen e parë. Por kam disa dyshime, nuk e di a i ka edhe vetë kryeministri kur thotë që është kritiku më i madh i qeverisjes dhe i pakënaquri më i madh i punës së deritanishme. Dyshime që lindin nga thjeshtësia për të kryer egzekutime mafioze në qendër të Vlorës e Elbasanit, për të luajtur të rinjtë me armë duke pirë kafe në mes të Tiranës, për të mbetur vetëm në ngjarjet tragjike të tre ditëve të fundit. Dyshimi i parë është për policinë: A është ajo e mbështetur fuqishëm për të luftuar krimin e organizuar?

Dmth krahasuar me organizatat kriminale që vetëm sipas asaj që kapet nga policia xhiroja u llogaritet në miliona euro, a kanë buxhet strukturat tona anti-krim që të vënë kokën në rrezik? A kanë shpërblime, dëmshpërblime, mirënjohje, mbrojtje, stërvitje, mbështetje, teknikë…etj? Jo vetëm në një rast, policë të mirëfilltë, i kam dëgjuar me veshët e mi që ankohen për mospagimin e orëve të punës jashtë orarit, apo për pagimin nga xhepi të naftës së makinës. Sa kohë mund të durojnë policë të tillë pa u bërë pjesë e borderosë kriminale?! Nuk guxoj ta them si shumë të tjerë ekraneve, krejt pa teklif, që ka plot të tillë prej vitesh, por dyshimin do e ngre sigurisht.

Zbulueshmëria mund të jetë e lartë pas krimit, por parandalimi i bie që është pothuaj zero, pa bërë hesape se mund të flitet për zbulueshmërinë e krimeve ordinere. Për të mos folur për frikën e panikun e qytetarëve që jetojnë në terrorin e ditës nga vrasjet para syve e në terrorin e mbrëmjes kur filmimet e kamerave të sigurisë pa nisur ende ekspertiza policore, “ekspertohen” në ekranet televizive duke u bërë “shembull” për të rinjtë e papunë. Dyshimi i rradhës ka të bëjë me sistemin e drejtësisë. Si vallë në çdo egzekutim kemi të bëjmë me të ardhur nga jashtë, nga vende ku zhvillohen përplasje organizatash kriminale. Mos ndoshta kjo ka të bëjë me prokurorët e gjyqtarët tanë që u gjejnë “kleçka” lirimi autorëve të krimeve, diçka që duket më e vështirë në vendet e BE apo më tutje? Realiteti tregon të vërtetën që nuk duam ta pranojmë.

Sistemi ynë i drejtësisë është plot vrima nga ku krimi mjafton të mos jetë shumë publik dhe diku do të rrëshkasë. Dyshimi i rradhës ka të bëjë me sigurinë e doganave tona. Një “fjalë e urtë” e këtyre kohëve thotë: Mjafton shuma e duhur dhe mund të kalosh ç’të duash. Kapja rastësisht, e pjesëve për prodhimin e monedhës Bitkoin, a nuk e bën pozitive këtë fjalë të urtë dhe rrëzon krejt “sistemin dixhital” doganor? Kjo vetëm në analizë të parë. Sepse më thellë të hysh, më shumë mund të gjesh llum. Realiteti pra nuk është vetëm rozë. Lungomarja sigurisht është realitet i bukur. Por a shijohet me frikën se nga çdo metër i saj mund te dalin njerëz me armë për të larë hesapet e vjetra a të reja? Apo Elbasani që po kthehet shpejt në Jutbinën e legjendave të moçme shqiptare ku qytetarët diskutojnë përditë për heroizmat dhe trimëritë e Mujit a të Pajit Harambash, sipas pëlqimeve.

Apo Tirana ku të rinjtë diskutimet e vetme serioze i kanë për paratë, vrasjet, grupet kriminale, hashashin, makinat e shtrenjta? E kështu mund të vazhdojmë edhe me Durrësin, Shkodrën, Fierin a ndonjë qytet tjetër. Avionët, portet e reja janë një realitet dhe e ardhme fantastike që do sjellin më shpejtë turistë, por po aq shpejt do sjellin dhe krimin e organizuar. Dhe dyshimi i fundit është: Nëse nuk nis sot të ndryshojë situata, cilët do ta gëzojnë Shaipërinë e re, qytetarët, apo krimi?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *