Gjana: PD nuk duhet të kthehet te togeri i ‘91 dhe gjenerali i ’97

Intervista

 Ish-kryetari i Komisionit për Zgjedhjet në Partinë Demokratike Jemin Gjana është kundër zërave që kërkojnë zgjedhje brenda Partisë teksa ende sipas tij nuk është përcjellë “kufoma” e zgjedhjeve elektorale që ai quan rezultatin e zgjedhjeve.

Në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Jemin Gjana shprehet se duhet patjetër një analizë e brendshme në PD për zgjedhjet e 25 prillit, por kjo sipas tij duhet të bëhet pasi grupi i ekspertëve juridik i ngritur në PD të përfundojë betejën ligjore. Sipas Gjanës, janë të paktën 7-8 mandate deputetësh të lidhur drejtpërdrejtë me bandat kriminale, ndërsa ndikimi i grupeve kriminale që erdhën sipas tij nga Belgjika, Spanja dhe vendet e tjera, ndryshuan vullnetin e qytetarëve.

Pasi të ezaurohen të gjitha këto hapa sipas tij, PD-ja duhet të nisë një analizë edhe të veprimeve politike të mëhershme. Në analizë duhet të futen edhe rezultatet e aleatëve. Ndërsa natyrisht, më pas vjen edhe radha e zgjedhjeve në parti. Sa i përket lëvizjes që ka nisur ish-Presidenti Bujar Nishani, Arben Imami dhe ish-funksionar të PD-së, Gjana tha se ai nuk dëshiron të kthehet te nëntogerët e ’91-shit apo te gjeneralët e ‘97-ës.

Z. Gjana, si i gjykoni zgjedhjet e 25 prillit?

Jemi ende në kufomën e krimit zgjedhor nëpër shtëpi dhe duhet të mbyllim këtë çështje fillimisht. Ne duhet të qartësojmë se çfarë ndodhi më 25 prill. Pati zgjedhje apo pati votime? Unë mendoj që pati vetëm votime. Pati pamundësi për të zgjedhur lirisht. Janë të paktën 7 ose 8 deputet të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e krimit. Me biografinë e tyre familjare dhe me biografinë e tyre personale. Me paratë e krimit dhe të trafikut jo thjesht të tyre si individë, por edhe grupe më të gjëra, grupe që kanë mbërritur në Shqipëri edhe nga Spanja edhe nga Belgjika për t’i mbështetur ata.

Për t’i dhënë më shumë vota se çdo politikan, përjashtuar kreun e listës së Elbasanit, që po ashtu dihet se ka lidhje me strukturat e krimit në Elbasan dhe Tiranë. Ata derdhën aq shumë para në funksion të emrave të tyre, por duke qenë në listat e PS-së dhe socialdemokratëve shqiptarë, natyrisht që votat për efekt të kodit elektoral i kanë çuar te partia. Kështu që, shifrën me 77 deputetët e këtyre dy forcave politike, vetëm kështu kuptohet si i kanë arritur këto rezultate.

A ka PD fakte për denoncimin e emrave konkretë?

Besoj se emrat konkretë janë të ditur për të gjithë ne. Nuk ka ndonjë qytetar që nuk i di emrat e atyre që mundën Pandeli Majkon me tre herë më shumë vota në emër personal. Apo pjesë të tjera të një liste më shumë intelektuale të PS-së në Durrës, në Elbasan, në Peqin apo diku tjetër. Ndërsa misioni faktmbledhës i opozitës, natyrisht që ka mbledhur dhe do të mbledhë të dhëna. Kjo është vetëm njëra prej aferave. E dyta është përdorimi i burimeve publike. I aseteve publike, në funksion të fushatës së partisë në pushtet. Me presion mbi administratën.

Me presione mbi punonjës të kompanive të mëdha të atyre që janë vite që janë në grupin e atyre që njihen si oligarkë të Shqipërisë. Presione të cilat e kanë devijuar votën. Përdorimi i fondeve publike për tërmetin. Transferimi i parave përmes bankës në llogari personale të mijëra familjeve shqiptare vetëm në ditët dhe javët para zgjedhjeve. Që të gjitha përbëjnë thyerje flagrante të paanshmërisë. Të gjitha këto sigurisht që janë për t’u hetuar. Opozita ka rolin e saj për të mbledhur fakte. Ashtu siç një sistem i tërë që është ngritur që përbën pjesën e sistemit të drejtësisë që edhe ai i kapur në disa segmente ka rolin të zbardhin këto çështje.

Pyetja e madhe që shtrohet është: kështu do të vazhdohet? Ka më ndonjë shans që ndonjëherë që përveçse atyre që kanë bërë bashkë karriget e këtij pushteti, të fitojë dikush tjetër në pushtet? A do mbetemi edhe ne si një kënd jugor i fqinjit tonë që ka dekada që lëngon nën peshën e trafikantëve. Në këto 30 vite nuk ka ndodhur kurrë që në prag të zgjedhjeve nga 12 subjekte në zgjedhje, që ka pasur fleta e votimit në zgjedhje, 8 prej tyre u krijuan muajt dhe javët para zgjedhjeve dhe pastaj sapo mbaruan zgjedhjet, një e nga një dhanë dorëheqjen. Mos harrojmë manipulimet e fundit që u bënë, ku një shumicë parlamentare jo legjitime ndërhynë dhe përdorën numrat në vend të emrave. Dhe bënë shumë ndryshime që të gjitha çonin ujë në mullirin e partisë në pushtet. Mungesa e koalicioneve çoi dëm mbi 60 mijë vota të njërit prej aleatëve të PD-së.

Ju ngritët një pikëpyetje, nëse mund ta ndryshojmë pushtetin? A është tani Partia Demokratike pas 8 viteve një alternativë qeverisëse, ku njerëzit të besojnë se PD është forca që do ndryshojë pushtetin?

E them me bindje të plotë se PD-ja ka qenë dhe mbetet një alternativë e rëndësishme. Janë marrë 620 mijë vota. Kanë ikur më shumë se 60 mijë vota dëm nga një prej aleatëve. Janë mbi 80 mijë vota të pavlefshme për shkak të ndryshimeve të njëanshme. Vitet e fundit janë larguar qindra e mijëra shqiptarë. Janë larguar ata që kanë qenë opozitarë. Ata që u goditën nga perspektiva. Një pjesë e madhe e tyre janë votues të PD-së të pamundësuar për të qenë votues, sepse edhe atje ku kanë shkuar shumica e tyre janë pa letra. Rastësi ishte që një mandat në Gjirokastër u humb vetëm sepse u mbyllën kufijtë dy ditë para zgjedhjeve.

Rastësi është që 8 subjekte nga 12 gjithsej që u krijuan pak javë para zgjedhjeve nga humbën një mandat të sigurt në Shkodër. Kështu që, në sytë e shqiptarëve në përzgjedhjen që kanë bërë shqiptarët, PD-ja është jo vetëm alternativë, por nëse nuk do të ishin krijuar kondicione të tilla të dyshimta ligjore dhe thyerje të rënda ligjore, sigurisht që do të kishim një tjetër rezultat. Është e sigurt që PD-ja ka qenë dhe është alternativa thelbësore që në këto 30 vite ka qeverisur 12 vite dhe ka bërë punët më të mira. Por nëse sot kemi një qeveri që krijon task-forcë pas taskforce që të shkojë në derën e bizneseve që të kujtojë paligjshmëritë dhe t’u përdor si pazare që para zgjedhjeve t’i përdorë për presione për të devijuar vullnetin e zgjedhësve. Ata votë kanë hedhur, por nuk e kanë pasur të lirë të zgjedhin.

PD nëse do të kishte pasur një pozitë më institucionale, mund t’i kishte penguar lëvizjet taktike të maxhorancës? Pra, mund të hymë tani në një analizë të brendshme?

Ka nevojë për një analizë. Ka një problem në Shqipëri. Kur bie kau shtohen thikat. Kur nën presionin qytetar dhe nën presionin e demokratëve, PD-ja braktisi Parlamentin, kam përshtypjen se është duartrokitur shumë. Tani po përpiqet që ta trajtojnë si një bumerang. PD-ja është krijuar si një parti e pjesëmarrjes dhe jo e bojkotit, por s’ka pasur rrugë dhe hapësira të tjera për të vepruar. Gjithsesi, ka vend për të analizuar. Fushata e PD-së e këtij viti, programi i PD-së i këtij viti, besimi që shikonim te qytetarët ka qenë i tillë që s’ka lënë asnjë pikë dyshimi se po shkohej drejt një ndryshimi të pushtetit.

Unë e kam prekur fushatën në Tiranë, në Kukës, në Has, në Tropojë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Gramsh, në Elbasan. E kam prekur kudo. Unë po flas si një njeri i PD-së që kam 30 vite që merrem me politikën. Që nga 2013 pa funksione në pushtet, por si një njeri që qëndroj për të shlyer detyrimet ndaj PD-së, sepse unë bëj pjesë tek ata që kanë marrë nga PD-ja. Gjithandej nga kam lëvizur në fushatë. Ndoshta vetëm në fushatën e ’92-shit kam lexuar një entuziazëm më të madh te qytetarët se do ndryshohet pushteti do ndërrohet. Faktorët që përmenda më sipër ndryshuan vullnetin. Por, gjithsesi duhet një analizë e thellë në PD.

Në kuadër të analizës paszgjedhore, përpos betejës ligjore për rezultatin, çfarë duhet të bëhet brenda partisë sipas jush?

Që të jem i qartë, e gjitha është në dorën e demokratëve dhe jo në dorën e disa individëve brenda demokratëve. Ata kanë të drejtën e tyre, por nuk dëshiroj të kthehem as te nëntogerët e ’91-shit, as te gjeneralët e ’97-ës dhe as te disa individë që kur u vendos disa mikrofona në tavolinë e pandehin veten se po shkojnë te lideri. Jo, liderët në politikë nuk rriten në natyrë. Ata janë investim i madh politik. Ata marrin një staturë të gjatë. Duhet kohë që të shkojnë në nivelin e liderit.

Natyrisht, PD-ja ka për detyrë të shndërrojë strukturat e saj, grupet e punës së saj, me mbështetje të shumë faktorëve të shoqërisë civile që kanë ndjekur zgjedhjet për të kryer një funksion faktmbledhës të renditjes së fakteve. Të krijimit të një dosjeje të plotë të besueshme e të qartë për sistemin tonë të drejtësisë këtu dhe për ndërkombëtarët. Kjo është çështja e parë.

Së dyti, PD-ja duhet të shkojë në një analizë për të parë atë që ka ndodhur në fushatë gjatë fushatës, me programin e saj, në nivelin e strukturave, në lëvizjen politike të fundit të saj dhe masën peshën e ndikimit të secilit faktor. Pastaj për të shkuar hap pas hapi në një ristrukturuar të mëtejshëm të forcës tonë politike. Edhe më pas të një strukturimi edhe brenda kampit të së djathtës.

Të kthehemi pak para zgjedhjeve. Se tani duan ta nxjerrin si një mëkat të madh se përse s’u fut LSI-ja në listën e PD-së. Disa nga aleatët u futën, dikush i fitoi edhe dy emra. Pretendimet e tyre ishin më të mëdha. Por po të kishim edhe LSI-në, kandidatët e PD-së do të ishin të fundit e listave. PD-ja si forcë e gjithë grupimit opozitar duhet të bëjë këtë analizë të plotë. Të komunikojnë edhe me faktorin ndërkombëtar. Nuk besoj se është e palexueshme që dy javë para zgjedhjeve, përfaqësuesja më e rëndësishme e të gjithë grupimit euroatlantik bëri thirrje që të ndaheshin nga krimi dhe të votonin ndryshimin.

Paratë e krimit kanë zhvendosur edhe socialistët më të devotshëm. Të zhvendosësh me tri herë më shumë vota Pandeli Majkon. Të zhvendosësh kryetarin e PS-së së Tiranës, që përveçse është i majtë dhe ka një lidhje të hershme me PS-në, është edhe një dhëndër i të djathtëve të kryeqytetit. Por në fakt ai nja 4 herë më pak vota se ata që kanë marrë vota me para të krimit. Pasi t’i lexojmë të gjitha këto, atëherë shkojmë në zgjedhje në PD.

Në analizën që bëni ju, PD-ja duhet shkojë në zgjedhjet e përcaktuar nga statuti?

Ne kemi një afat në statut për zgjedhjet në PD. Është Këshilli Kombëtar që e përcakton. Unë nuk e quaj nëse do të jetë një problem i madh nëse e bëjmë në afatin fiks që e thotë statuti apo pak më afër apo pak më larg për të krijuar mundësinë për t’u marrë në fakt me thelbin e çështjes. Ne duhet të kuptojmë që thelbi i çështjes është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mund të bëjmë të gjitha këto që të heqim lider e të vendosim lider, të zëvendësojmë strukturat. Por çfarë zgjidhim?! Asgjë. Veçse fusim në një kakofoni opinionin publik që është thelbi i çështjes që qytetarët janë lejuar të votojnë, por nuk kanë zgjedhur lirshëm./faktor.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *