Arrestohen dy militantët e PS për blerje votash dje në Dibër

Aktualitet

Një makinë me rreth 5 milionë lekë të vjetra të destinuara për blerjen e votës, është bllokuar dje nga mbështetësit e opozitës në zonën e Maqellarës, Dibër. Ky qark është rikthyer dhe një herë në qendër të vëmendjes për fenomenin e blerjes së votës dhe sërish roli i policisë në zbulimin e tyre ka qenë inekzistent.

Policia njoftoi sot se dy militantët e PS janë arrestuar. Bëhet fjalë për juristin e bashkisë Denis Gjoli dhe shtetasi me inicialet A.C., të cilët akuzohen për ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’.

NJOFTIMI ZYRTAR

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

https://video.syri.net/embed/9wItAj2GFFSoRH2

© SYRI.net