Meta: “Kam listën me emra të personave në kërkim që do ndërhyjnë në zgjedhje”

Aktualitet

Presidenti Ilir Meta ka bërë deklarata të forta gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, brenda Partisë Socialiste kandidatët kanë filluar luftën për të marrë votat e njëri-tjetrit.

Ai i ka bërë thirrje komisionerëve dhe numëruesve që të garantojnë votën e lirë të gjithësecilit. Por Meta ka bërë edhe një paralajmërim të fortë.

Presidenti ka bërë të ditur se ka gati një listë me persona të shpallur në kërkim që do të tentojnë të ndërhyjnë në zgjedhje. Ai këtë listë ka deklaruar se do t’ia dërgojë policisë, të cilëve u kërkon të bëjnë detyrën.

Meta nuk ka ndalur as ironitë ndaj kryeministrit. Sipas tij, nëse Edi Rama merr 71 mandate pa vjedhje, atëherë do t’i japi atij edhe mandatin e presidentit.

I pyetur nga gazetarët se kush është qytetari dixhital që ka denoncuar rrezikun e blerjes së votave, Meta përmendi edhe ish kryeministrin Sali Berisha.

“Jo për doktorin, ai është figurë e madhe tani. Unë i referohem një rreziku konkret tek njësia 10. Ka denoncime pafund, foto video që vijnë në presidencë. Do t’i bëjmë publike në orët në vijim”, tha Meta.