ADMINISTRATA NUK KA PSE TË KETË FRIKË NGA ROTACIONI

Politike

Luciano Boci

Shumë analistë besojnë se mazhoranca në këto zgjedhje do të arrijë të marrë vetëm votat e administratës dhe të njerëzve që jetojnë me të ardhurat e saj. Unë jam i prirur të besoj se shumë mësues, mjekë dhe profesionistë të tjerë që paguhen nga shteti, në këto zgjedhje do të votojnë për opozitën. Programi i saj krijon mjaftueshëm arsye pragmatiste për ta zgjedhur atë, pëtej frymëzimit pozitiv për të pasur një Shqipëri më të mirë.Çfarë do të pengonte këto arsye pragmatiste që të vijnë në shprehje është frika e rotacionit politik dhe e humbjes së vendit të punës nga administrata.Unë nuk pres që njerëz, të cilët pa meritë kanë arritur pozicione të caktuara në administratën e sotme – qëndrore dhe vendore – të rrëzojnë favoret e marra dhe të respektojnë logjikën e zhvillimit.

Pranimi prej tyre i favoreve pa bazë merite është dëshmi se korrupsioni politik i vendimarrësve të sotëm nuk do të kishte gjetur terren pa mbështetjen e të korruptuarve në bazën e shoqërisë.Lufta ndaj korrupsionit politik kërkon një ri-vlerësim tërësor të efekteve.Por është pikërisht ky princip, ai që mbron të aftët, të kualifikuarit, të denjët dhe ata që kanë angazhimin e mjaftueshëm për të vazhduar në mënyrë efektive shërbimin ndaj publikut prej karrikes së administratës.Eshtë detyrë e opozitës të shpjegojë në këto çaste vendimtare se ajo nuk po vjen në pushtet për të ndëshkuar njerëz.

Ajo po vjen për t’ju dhënë atyre dinjitetin e munguar të një shteti që ka humbur principet.Mjafton që ne të ndërtojmë një model të vlerësimit të përditshëm të punës së gjithëseicilit- nga ministri tek zyrtari më i ulët – në përputhje me një set treguesish të performancës sipas termave të referencës dhe planit periodik të punës, për t’i dhënë garanci kujtdo në administratë se rotacioni nuk i cënon as postin, as të ardhurat.Rindërtimi i një meritokracie efektive kërkon një proces më shumë sesa legjitim, krejt të kundërt me sjelljen e administratës aktuale kur mori pushtetin dhe pagoi miliona euro dëmshpërblime për njerëz të larguar padrejtësisht nga puna.Administrata shqiptare mbetet shtylla kurrizore e çdo trupi politik që vjen me shpirt dhe frymë të qeverisë vendin, në përputhje me vullnetin e sovranit. Detyra jonë është forcimi i saj, jo dobësimi i saj, është mëkëmbja morale dhe krijimi i një mjedisi institucional ku sundon ligji dhe vetëm ligji, si parim dhe si shprehje e së drejtës.

Një shtet ligjor nuk mund të jetë kurrë efikas në raport me publikun pa një administratë që respekton veten duke përmbushur detyrat, të cilat e mbajnë në zyrë.Unë jam i bindur se mënyra sesi është menaxhuar administrata shqiptare i ka dhunuar asaj një numër virtytesh që këta njerëz mbajnë dhe ushqejnë. Por këto virtyte mbeten tipar i shumicës së njerëzve në administratën e ulët.

Mënyra sesi politika ka deformuar sjelljen e një numri personash nuk fajëson këta njerëz, të cilët nuk kanë pasur tagre reale në një administratë të qeverisur keq dhe larg meritokracisë.Eshtë detyrim i opozitës që t’i japë shansin këtyre njerëzve – shumica absolute e të cilëve janë të ndershëm, të aftë dhe kryeultë – që të dëshmojnë cilësitë e tyre dhe virtytet më të mira njerëzore, në një marrëdhënie të re të shtetit me qytetarin. Administrata është partneri ynë në këtë betejë për një Shqipëri më të mirë.

#votoPD#lucianoboci7#elbasanifiton#ShqipëriaFITONhttps://lucianoboci.com/…/administrata-nuk-ka-pse-te…/