Nga Luçiano Boçi: FSHATI SI PREMISË E DALJES NGA KRIZA

Politike

Në shumicën e vëndeve të industrializuara, revolucioni zhvillimor është ndërtuar mbi logjikën e ndarjes së bujqësisë nga fshati. Popullata “fshatare” në Angli bën 2-3% të popullsisë ndërsa prodhimi bujqësor, edhe pse me një klimë jo të favorshme, realizon mbi 50% të nevojës ushqimore kombëtare për një popullsi prej 80 milion banorësh.
Rënia e popullsisë në fshatin shqiptar ishte jehonë e rrënimit të tij prej komunizmit. Në vitin 1991, 82% e popullsisë shqiptare banonte në fshat. Sot kjo përqindje është përgjysmuar. Elbasani ruan ende një përqëndrim të konsiderueshëm prej 55% të popullsisë së qarkut në fshat.

Teoritë e zhvillimit mund të jenë disa, por përpjekja shqiptare për ta mbajtur banorin e fshatit të lidhur me tokën, e cila u nda sipas ligjit 7501, rezultoi e pambështetur. Vendimi i hershëm social i PD-së për të mos ta taksuar fermerin falë varfërisë së thellë prej ku ai po dilte, bëri që administratat socialiste më pas ta braktisnin krejtësisht fshatin, infrastrukturat e domosdoshme që mbështesin prodhimin e tij etj. I lënë në mëshirën e fatit, fshati humbi edhe shërbimet e specializuara të agronomisë e veterinarisë, ndërsa shërbimet e tjera u privatizuan dhe u shtrenjtuan.

Me vendimin për regjistrimit e fermave të vogla shqiptare si shoqëri tregëtare (me NIPT), Edi Rama frikësoi sipërmarrjen në fshat dhe në fakt dëmtoi rëndë qysh në hapat e parë investimet në agro-përpunim. Logjika e aplikimit të TVSH-së për produktet bujqësore dhe blegtorale rriti artificialisht me 20-30% çmimet e prodhimeve që fabrikat e vogla, ende larg konkurueshmërisë duhet të fusin në treg. Kjo është arsyeja që fermeri e dorëzon 1 litër qumësht me 30 lekë tek grumbulluesit, ndërsa i biri i tij që ka ikur në qytet e blen në format UHT katër herë më shtrenjtë.
Kjo u bë ndërkohë që fshatin shqiptar vazhdojnë ta konkurojnë pa mëshirë importet.

Ne duhet të fusim fermerin tonë në treg në mënyrë të besueshme. Nuk ka fuqi konkuruese, pa premisa tregu.
Sektori bujqësor ka tërhequr vetëm 2% të totalit të kreditimit të ekonomisë dhe kjo ka ndodhur sepse toka bujqësore nuk është ende një asset tregu. Ajo nuk njihet nga bankat si garanci për asnjë transaksion financiar. Procesi për regjistrimin, rivlerësimin dhe inventarizimin e plotë të pronës në fshat është një detyrim imediat i qeverisë së re.
Ky hap duhet të përndiqet me hartimin e Hartës së Produkteve Agrare sipas zonave, për të ndërtuar më pas edhe një politikë fiskale që mbron fermerin. Sipas kësaj Harte realizohet edhe planifikimi i prodhimit agrar – bazë e politikës së Sovranitetit Ushqimor të një vendi.

Por mbrojtjen reale fermerit dhe prodhimit të tij bujqësor, i cili në Elbasan arrin në 1.2 milion ton, arrihet përmes Agropërpunimit. Prodhimi ynë rajonal nuk mund të kufizohet me nivelin e kapacitetit konsumator stinor të tregut.

Fshati ka nevojë për investime dhe gjurma e fundit e tyre është programi i qeverisë Berisha për ndërtimin e rrugëve rurale. Ishte po qeveria e PD-së, e cila negocioi dhe filloi programin e përmirësimit të infrastrukturave të shërbimeve jetike në fshat – me ujësjellësit e vegjël dhe ndërhyrje të tjera. Për PD në pushtet, ky është vetëm rikthimi i procesit në shina të sigurta rezultatesh.

Elbasani ka shansin që të jetë numri 1 në Shqipëri për prodhimin e vajit të ullirit. Investimet në ullishte dhe në shërbime janë pjesë e projektit tim për këtë qark.

Elbasani është prodhuesi i dytë më i madh në Shqipëri i bimëve medicinale dhe erzave. Hapësirat tona natyrore na lejojnë të synojmë katërfishimin e këtij prodhimi. Gramshi dhe krejt zona pyjore e Librazhdit, tokat e Cërrikut dhe shumë zona kodrinore – malore në qarkun e Elbasanit ofrojnë kushte ideale për zhvillimin e orientuar të tyre. Kur ky hap të përmbushet, ne mund të kemi në Elbasan një industri të integruar farmaceutike dhe kozmetike, duke përqëndruar proceset përpunuese në një qendër industriale të standartit europian. Le të kuptojmë se rajoni i Europës Juglindore përfshi Rumaninë prodhon 15% të repertit botëror të erzave dhe bimëve mjekësore.

E fundit, por vetëm për na rradha – në bashkëpunim me shoqatën e Bletërritësve – unë kam prezantuar projektin tim “100.000 KOSHERET”. Vizioni është i qartë, tradita jonë – shkëlqyer, mundësitë janë reale dhe investimi krejt i moderuar. Bletët jo vetëm e rrisin rendimentin bujqësor deri në 45%. Ato japin një të ardhur, që e kthen investimin në më pak se dy vjet.
Bletët janë një barometër i pastërtisë organike të produkteve tona dhe garanci për produkte të shëndetshme për konsumatorët. Ky projekt do të krijojë në Elbasan edhe Shkollën e Apikulturës- e cila i mungon vendit.

Nga Peqini në Prrenjas, e nga Gramshi në Cërrik, nga Bradasheshi në Librazhd e deri në Rrajcë – ne jemi në gjendje të gjenerojmë brenda tre vitesh përmes këtij projekti një prodhim organik të mjaltit prej 800-1.000 ton/ vit dhe një të ardhur prej jo më pak se 5 milion euro vlerë tregu.

Eshtë e domosdoshme që qarku i Elbasanit të bëjë një rivlerësim mjedisor të cdo zone bujqësore – për të cliruar nga stigma mjedisore hapësira të rëndësishme prodhuese. Ky paragjykim I gabueshëm mbi ndotjen për shumë zona të qarkut ndëshkon me 30% humbje në cmimin e produkteve bujqësore fermerët e qarkut tonë.

A mund të luftojmë varfërinë?! Eshtë turp që kjo fjalë të ekzistojë më tej në trevën e pasur e të begatë të Elbasanit.

Në vizionin tim zhvillimi i fshatit do të rrisë në mënyrë eksponenciale hapësirat për zhvillim të industrisë së lehtë dhe ushqimore, do të nxisë punësimin, transportin dhe tregëtinë – sektorë kyç në përmirësimin e të gjithë parametrave zhvillimore – mbi të cilat ngrihet një konsum i besueshëm dhe një rritje e gjithanshme të ardhurash.

Fshati është premisa e daljes nga kriza të qarkut të Elbasanit. Me programin e Partisë Demokratike, na ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i këtij procesi.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments