“Siguroi dokumentin sekret”, Shkullaku: Aksesin na e dha një person nga PS

Aktualitet

Gazetari Armand Shkullaku, publikoi skandalin e vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve nga Partia Socialiste.

Ai ka rrëfyer në emisionin “Të Paekspozuarit”, se si arriti të sigurojë dokumentin sekret dhe se çfarë të dhënash sensitive të shqiptarëve, gjenden në serverat e PS.

“Historia nuk daton këto dy ditë.  Kjo që ka ndodhur, nuk është një aksion që PS e ka ndërmarrë për fushatë.

Kemi gjashtë muaj që jemi sinjalizuar, nga njerëz në PS, të cilët kanë qenë të shqetësuar ndonëse punonin aty, që nga serverat e PS kishte akses direkt në të dhënat e e-albania. Janë mbi 200 njerëz që punojnë atje.

Ishte shokuese, që nuk mundet që askush të hyjë te të dhënat personale të mbrojtura. Të hyjë atje tek të dhënat e shtetit, për t’i përdorur.

910 mijë njerëz në Tiranë, të dhënat e të cilëve, janë numri i ID, numri i telefon, vendbanimi, janë në duar të disa të rinjve, që i përdorin për një infrastrukturë zgjedhore për PS. Qe e vështire futja në sistem, sepse personi që mund të të japë akses zbulohet menjëherë. Megjithatë dikush e mori riskun përsipër, sepse ngjarja ishte tepër e rëndë.

Ne mundëm të futemi sikur të ishim një prej punonjësve të PS.

Aty ka edhe emra si rasti i kreut të Shërbimit Informativ, nuk e di cfarë nevoje ka PS të dijë me kë është shefi i Shërbimeve. Atij i ekspozohet emri, numri i telefonit. Aty ka shef të krimeve, përbën një risk. Kjo ngre pyetjen, derisa na hyjnë tek të dhënat personale, mund të hyjnë tek tatimet?

Disa gazetarë pranë qeverisë po mundohen të bëjnë humor, të thonë nuk ka asgjë e keqe, të thonë që cdo parti ka databazë.

Sigurisht, cdo parti mund të ketë, por të marrësh ID nga arkiva shtetërore, për ti përdorur për një parti politike, shteti quhet që ka rënë.

Imagjinoni sikur një parti politike në Francë, të hynte të merrte të dhënat e francëzëve dhe t’I përdortë për zgjedhjet.

Kemi parë aferën me Cambridge Analytica dhe pamë se si u ngrit e gjithë bota. Nuk mund ti lejohet asnjë kompanie private që databaza e një klienti të vendoset në funksion të një partie.

E keni parë që shënohet edhe vendi i punës? Nëse dikush nuk e ka të sigurtë votën, mund të ndikohet edhe tek vendi i punës.

Aty ka persona që përshembull nuk duhet ta tregojnë vendbanimin e tyre. Një prokuror, përse duhet ta dijë një kriminel banesën e tij?

Nëse dikush futet në të dhënat e një shteti dhe i përdor për qëllime të caktuara, quhet që shteti ka rënë”, tha Shkullaku.