Rinas/ Kontrollorët turq nuk njohin pajisjet…

Aktualitet

Kanë rinisur të gjitha fluturimet në Aeroportin e Rinasit, pasi në kullën e vrojtimit qëndrojnë kontrollorë të trafikut ajror nga Turqia. dosja.al është interesuar pranë ekspertëve të fushës, për të mësuar më shumë rreth aftësisë së përshtatjes së tyre në kullën shqiptare, ndërsa përgjigjet nuk qenë optimiste.

Burime për dosja.al nga Rinasi kanë bërë me dije se të dërguarit nga Turqia janë zgjuar që në 06.00 të mëngjesit dhe janë dërguar në “punë” pa i dhënë informacion lidhur me aktivitetin e tyre. Ndërkohë, ata kanë mbërritur në Shqipëri vetëm dje. Kontrollorët turq duket se ende nuk janë “familjarizuar” me Shqipërinë. Po të njëjtat burime për dosja.al thonë që avionin me vaksinat ditën e djeshme e ka zbritur shefi i kullës.

Ky i fundit mësohet se dje ka ndenjur në turn për 18 orë, gjë që është rreptësisht e ndaluar nga manuali i operimit të kontrollorit të trafikur ajror, pasi maksimumi i punës së tyre është vetëm 4 orë në ditë. Por, mesa duket e njëjta gjë do të ndodhë edhe sot, pasi kontrollorët turq nuk dinë ende se si funksionojnë aparaturat, pasi të tyret janë të ndryshme nga ato që ndodhen në Rinas.

Shkurt; para se të zëvendësojnë ndonjë prej kontrollorëve, turqit duhet që të bëjnë “on job training” për të mësuar procedurat dhe për t’u njohur me terrenin e Shqipërisë, ndryshe nuk operojnë dot.

Trajnimi i kontrollorëve bëhet në çdo vend të botës për të marrë licensën përfundimtare. Çdo kontrollor duhet të bëjë trajnimin “on job training” dhe të flasë patjetër gjuhën e vendit, ku do të operojë. A dinë vallë kontrollorët turq shqip? Kjo, pasi në çdo rast problemi duhet që të raportohet në shqip dhe në çast, sepse nuk ka kohë për vonesa. Por, këto detaje teknike duket se janë anashkaluar nga qeveria dhe nga Aviacioni Civil, vetëm për të t’u thyer hundët kontrollorëve që guxuan të protestojnë. Për pasojë policia ka arrestuar tre kontrollorë të trafikut ajror, kreun e sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini.