Sherri Boçi-Luca/ Rama: U grushtua një punëkrijues i madh

Aktualitet Politike

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish grumbullimet në takimet elektorale të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nga Elbasani, Rama është shprehur se ata do të respektojnë rregullat, duke i cilësuar si papërgjegjshmëri atë që ndodh në krahun tjetër politik.

“Del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharë me dy gishta, pa marrë parasysh se kështu rrezikohet shëndeti i tyre dhe familjeve të tyre. Lufta me armikun e padukshëm është sfida e sfidave. Largimi i virusit nga jetët tona është sfida e sfidave. Ne jemi të super angazhuar si qeveri për të garantuar rritjen e përditshme të numrit të vaksinimeve. Por kjo duhet të shkojë paralel me respektimin e  rregullave. Është papërgjegjshmëri dhe nuk duhet ta bëjë këtë një forcë politike që ofrohet si alternativë qeverisës. Ky skuthllëk është tipar i lidershipit të tyre dhe i politikës së tyre. Ne do të vazhdojmë të respektojmë rregullat, do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit, por nuk do të biem pre e turmologjisë”, tha Rama.

Gjithashtu, kreu i qeverisë ka reaguar për përleshjen fizike mes kandidatit të PD, Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca. Rama e ka cilësuar Boçin si grushtues, ndërsa Lucës i referohet si punëkrijues i madh. Kryeministri u shpreh se nëse “grushtuesi i sipërmarrësit të madh do të kishte qenë cilido nga ne, ata do të kishin vënë kujën”.

“E pamë në Elbasan dhe ju ftoj ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, i një punëkrijuesi të madh, të kishte qenë cilido prej nesh, prej djemve dhe burrave që janë këtu në tavolinë, grabitësi i telefonit të tij të ishte Taulanti, apo Luani, cilido qoftë, çfarë do të ishte bërë. Sa email-e dhe telefonata, e lumenj do kishin derdhur nëpër Evropë dhe sa do të kishin vënë kujën. Ne e kemi të qartë se janë të dëshpëruar se e kanë të qartë që nuk kanë mundësi të kenë një shans tjetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë harroi se telefoni ishte i ish-deputetit dhe se akuza për këtë ishte sajuar nga biznesmeni që sponsorizon takimet e Rilindjes.