AktualitetPolitike

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

18 Mars 2021 | 00.25

Vasili: Rilindja në panik, kthen institucionet shtetërore në zyra elektorale

Të nderuar qytetare dhe qytetarë!

Jemi në këtë komunikim të pazakontë në këtë orë, pasi faktet njëri pas tjetrit, njëri më tronditës se tjetri, po tregojnë qartë se si batakçinjtë humbës të Rilindjes janë lëshuar të rrëmbejnë zyrat e shtetit, të dhënat personale të qytetarëve, të përdorin zyrat elektorale të partisë që kanë zëvendësuar tashmë shtetin, vetëm nga paniku i humbjes.

Së pari, po ju demonstrojmë videon se ç’ndodh me personat, me të dhënat e tyre private, e si zyrat e Partisë Socialiste u futen edhe në shtëpi dhe numrat privatë të tyre, duke përdorur të dhënat private të qytetarëve, të cilat zotërohen vetëm nga institucionet shtetërore. Ndjekim videon dhe telefonatën e Partisë Socialiste ndaj një qytetari.

Pra të nderuar qytetarë, shikoni sesi në mënyrë skandaloze të dhënat personale që janë pronë e institucioneve, në rastin konkret KQZ-ja përmendet qartë, përdoren dhe janë pronë e Partisë Socialiste. Në vend që t’i shërbejnë ligjit, rregullave të shtetit, Kodit Zgjedhor e të tëra, këto janë të gjitha në duart e kësaj partie, e cila në panikun e humbjes i përdor ato.

Në mënyrë të qartë e të prerë, i kërkoj KQZ-së dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të nisin një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar dhe të gjithë përgjegjësit të nxirren para ligjit. Gjithashtu të mbahet qëndrim ligjor edhe ndaj Partisë Socialiste alias Rilindjes. Gjithashtu të nderuar qytetarë pak çaste më parë, televizioni Ora News ka bërë publike fakte tronditëse, sesi zyrat e Partisë Socialiste vendosen në dispozicion dhe kthehen në zyra të gjendjes civile. Maskarenjtë e Rilindjes marri kartat e identitetit për të bërë regjistrime e për të transferuar qytetarët fiktivisht, në mënyrë artificiale, nga rrethet në Tiranë, për të shtuar mundësinë artificiale të votave në Tiranë. Disa mijëra qytetarëve u është bërë një gjë e tillë, vetëm në një zonë të caktuar të Tiranës.

Koha nuk pret. Prokuroria shqiptare që nga ky minutë, duhet të fillojë hetimet kryesisht, duhet të bllokojë të gjithë zyrat elektorale të Partisë Socialiste, të cilat funksionojnë tashmë si banditë shtetërorë që rrëmbejnë të gjithë të dhënat. Janë ata që heqin gjoba dhe vënë gjoba. Janë ata që regjistrojnë dhe zyrat e gjendjes civile, zyra që u takojnë të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim partiak. Janë zyra shteti, janë transformuar përfundimisht në zyra elektorale të PS.

Kjo situatë është një situatë skandaloze dhe evidentimi i saj është shumë i qartë, faktet buçasin, prokuroria shqiptare është e thirrur në provë për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve. Është e qartë për këdo që opozita nuk do të falë gramin për këtë çështje. Në fushë, në terren, kudo që të jetë, ballë për ballë por institucionet shtetërore duhet të vihen menjëherë në lëvizje dhe t’i bëjnë shërbim shtetit dhe ligjit, që të mos jenë dhe ata ballë për ballë me qytetarët. Nuk kanë ç’të presin më. Të dhënat personale rrëmbehen e përdoren sikurse të jenë portofoli i xhepit të Edi Ramës me të tjerë dhe po kështu zyrat elektorale regjistrojnë e çregjistrojnë kë të duan, duke u shndërruar në një shtet të dytë. Pra shteti i partisë brenda shtetit.

Kjo thirrje publike do të shoqërohet nga aksione të tjera shumë të forta pasi asnjë shqiptar nuk mundet kurrë të pranojë që disa batakçinj, që e kanë shumë të qartë që kanë humbur dhe janë humbësit e mëdhenj në mënyrë katastrofike të këtyre të zgjedhjeve, përpiqen të transformojnë, të deformojnë, të shkatërrojnë shtetin vetëm e vetëm nga ankthi i humbjes shumë të rëndë të Edi Ramës. Thirrja është e qartë, është e prerë, është publike. Prokurori, KQZ, komisionerë lëvizni tani që nesër mos të jetë vonë edhe për ju.

Linku:

https://www.youtube.com/watch?v=0YZT8Q0BfAI

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?