Bashkimi Evropian përgënjeshtron Ramën: I kemi kërkuar sqarim për marrëveshjen e Portit të Durrësit!

Aktualitet

Bashkimi Evropian i ka kërkuar qeverisë shqiptare sqarime për të vlerësuar nëse marrëveshja me kompaninë Emaar për investimin prej 2 miliardë dollarë në Portin e Durrësit shkel marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që i ndalon Shqipërisë trajtimin preferencial të kompanive jashtë BE. Ekskluzivisht për Dosja.al, zyra e BE në Tiranë përgënjeshtron kryeministrin Edi Rama. 

Marrëveshja e qeverisë shqiptare për zhvillimin e Portit të Durrësit nga kompania Emaar, e sheikut arab Mohamed El Alabbar, i ka hapur probleme Shqipërisë në Bruksel. Dosja.al ka raportuar dy ditë më parë ekskluzivisht debatin që u zhvillua me dyer të mbyllura mes komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, shefit të Politikës së Jashtme në BE, Joseph Borrell dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Bashkimi Evropian kërkoi sqarime nga qeveria shqiptare nëse kjo marrëveshje shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por kryeministri Edi Rama, e mohoi dje më forcë një shqetësim të tillë të ngritur nga BE. Për ti shkuar deri në fund të vërtetës, Dosja.al kontaktoi me zyrën e shtypit pranë Delegecacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Në përgjigjen dërguar via email, Delegacioni i BE në Tiranë, konfirmon se BE është në dijeni të marrëveshjes dhe kërkon sqarime nga Shqipëria.

“BE-ja është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit. BE-ja u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime për të vlerësuar përputhjen e marrëveshjes me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë.”-thuhet në përgjigjen për Dosja.al nga Bashkimi Evropian.

Por si e mohoi dje kryeministri Edi Rama?

Kryeministri jo vetëm që mohoi që në Bruksel të ishte vënë para përgjegjësisë për këtë marrëveshje, por me ironi dhe tallje tha se këto lajme janë “fakte alternative të një bote paralele të ndërtuar me lajme të rreme“. Rama tha se në Bruksel as nuk ishte përmendur fare kjo çështje.

Mohimi që Edi Rama iu bëri fakteve:

“Po kaq e pavërtetë, kaq thellësisht e pavërtetë sa mungesa e një ultimatumit është ajo që dëgjova tani për Portin e Durrësit. As është folur as është diskutuar, as është prekur asnjë fjalë në lidhje me këtë temë. Është për të ardhur keq që kjo shpiket në Tiranë ndërkohë që ai investim është për të gjithë për të ardhurat tuaja personale, tuajat personale të juve që jeni këtu. E kam dëgjuar shumë këngën e Malit të Zi dhe Maqedonisë, Serbisë … që kanë investime të huaja, kanë investime të huaja dhe kemi paguar koston e një imazhi skandaloz të trashguar nga një traditë skandaloze dhe kur ne bëhemi gati të bëjmë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë të njëjtin ndikim si në Malin e Zi që janë me pagat më të larta në rajon këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpërsisht për diçka që është e lidhur me interesin tuaj personal dhe familjar, dhe të atyre që kanë një mikrofon se rritja në ekonomi do të ndikojë tek ekonomia.”-tha Rama dje në konferencën e fundit me gazetarët.

Përgjigjia e delegacionit të BE provon se vizita e kryeministrit shqiptar në Bruksel dhe shqyrtimi i ecurisë së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Investimi prej 2 miliardë dollarë nga grupi Emaar në Portin e Durrësit ka shqetësuar BE, duke ia shprehur kryeministrit Edi Rama se koncesioni shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Cila ka qenë përgjigja e kryeministrit shqiptar? Edi Rama iu ka kërkuar dy zyrtarëve të lartë evropian heshtje publike për këtë çështje dhe në këmbim ka premtuar se marrëveshja do të korrigjohet. Shqetësimi i BE lidhet me marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin që ka hyrë në fuqi të plotë që prej 31 marsit të 2019, dhe ndalon që kompaninve jashtë BE t’ju jepet një trajtim preferencial si në rastin e Portit të Durrësit dhe kompanisë Emaar.

(F.g/dosja.al)

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments