Gentian Çala: Progami politik i LSI-së ka rimëkëmbjen ekonomike, të rinjtë, punësimin, arsimin dhe shëndetësinë

Aktualitet Intervista

Gentian Çala, Kryetari  i LSI Pogradec

Socialistët e ndershëm dhe ata që nuk kanë “ngjyer” në çorbën e Rilindjes janë më shumë se të zhgënjyer. Pritshmëritë nuk u janë realizuar, ndërsa janë braktisur dhe janë lënë në harresë

Programi politik  i LSI-së ka rimëkëmbjen ekonomike, të rinjtë dhe shëndetësinë

Gazeta Telegraf

Gentian Çala, Kryetari  i LSI Pogradec në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se socialistët janë zhgënjyer nga kasta sunduese e Rilindjes, pasi në 8 vjet qeverisje nuk ka mundur të përmbushë asnjë zotim, madje, i ka braktisur edhe votuesit e saj. Zoti Çala thotë se njerëzit kanë padurim dhe një dëshirë për të marrë pjesë në zgjedhje, pasi duan ndryshim. Zoti Çala thotë se LSI-ja duhet të jetë një element “check and balance” në qeverisjen e ardhshme.

PJESËMARRJET E LARTA NË ZGJEDHJE TË QYTETARËVE SHKOJNË ZAKONISHT NË FAVOR TË ROTACIONIT POLITIK DHE TË NDRYSHIMIT. KA NJË ATMOSFERË PRESIONI NGA PUSHTETI, QYTETARËT POHOJNË SE NUK KA ÇFARË TË HUMBASIN MË

-Zoti Çala, cilat janë realizimet e premtimeve të qeverisjes 8 vjeçare të Rilindjes në Pogradec?

– Mendoj se bilanci i Rilindjes në Pogradec është mjaft zhgënjyes në raport me premtimet e bëra para se të vinin në pushtet apo gjatë këtyre 8 viteve. Pogradeci ka turizmin burimin kryesor të të ardhurave dhe sektorin më të rëndësishëm ekonomik. Pogradeci, për fat të keq, gjatë viteve të fundit u shndërrua nga një destinacion tërheqës për turistët apo pushuesit, në një destinacion tranzit të tyre. Investimet dhe punët publike kryesisht në infrastrukturë, kanë qenë me pikatore, janë bërë në prag të fushatave dhe në disa prej tyre pa standarte. 100 fshatrat ishte një projekt fantazmogorik i Rilindjes dhe disa nga fshatrat turistikë vuajnë ende mungesën e ujit të pijshëm. Papunësia vazhdoi të ishte në shifra të larta, ndërsa ikja e të rinjve si nga zonat rurale ashtu edhe nga ato urbane vazhdon me ritme të larta. Projektet të tilla si rruga Qukës – Qafë Plloçë kanë mbetur përgjysëm. Projekti i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në qytet prej 20 KË u fillua dhe u la në mes. Ndërsa bilanci i mjedisit dhe i dëmtimit të tij u përkeqësua, ku mund të përmend dëmtimin e ekosistemit nga ndërtimi i disa HEC-ve mbi Shkumbin dhe dëmtimin pa kriter të pyjeve. Shërbimet ndaj qytetarëve nuk kanë njohur përmirësim  si në institucione të nivelit qëndror, ashtu dhe në ato të nivelit vendor. Tashmë, pogradecarët kanë më pak të ardhura në xhepat e tyre, për shkak të politikave të ndjekura nga qeveria. Bujqësia po braktiset gjithmonë e më shumë, ku sipërfaqja e tokave të pa mbjella është shtuar dhe numri i krerëve të bagëtive ka ardhur në rënie, subvencionet dhe ndihma e shtetit jo vetëm që është e vogël në vlerë, por nuk shkon në shumicën e rasteve në duart e duhura.

100 FSHATRAT ISHTE NJË PROJEKT FANTAZMOGORIK I RILINDJES DHE DISA NGA FSHATRAT TURISTIKË VUAJNË ENDE MUNGESËN E UJIT TË PIJSHËM

– Si ndihen vetë socialistët, nga qeverisja e Rilindjes?

– Socialistët e ndershëm dhe ata që nuk kanë “ngjyer” në çorbën e Rilindjes janë më shumë se të zhgënjyer. Unë kam pasur rast të bisedoj me disa prej tyre, ku evidentohet se pritshmëritë nuk u janë realizuar, ndërsa janë braktisur apo janë lënë në harresë. Ata janë mjaft kritikë ndaj administratës, shërbimeve, rekrutimeve të të punësuarve, pagave të ulëta dhe shpesh herë ndaj arrogancës së pushtetit. Socialistët ndjejnë përditë kostot e një pushteti që premtoi shëndetësi falas, ndërsa paguajnë nga xhepat e tyre ekzaminimet apo trajtimet e kripura për covid-19.

– Tashmë që Rilindja ka edhe pushtetin qendror dhe vendor, a ka progres, a është përmirësuar shërbimi ndaj qytetarëve?

– Të shikosh pensionistët që presin në radhë në grupe prej dhjetra personash për të marrë pensionin, të dëgjosh njerëz që enden zyrave për një shërbim, kupton se qytetarët kanë pakënaqësi të shumta ndaj administratës. Posaçërisht moshat që nuk munden të përdorin teknologjinë kanë vështirësi më të mëdha. Mungesa e injektimit të një kulture përgjegjshmërie apo llogaritshmërie bën që qytetarët shpesh herë të ndihen të pandihmë në nevojat e tyre si ndaj pushtetit vendor dhe qëndror. Megjithëse te ne mungojnë anketimet me publikun lidhur me aspektet të ndryshme të shërbimeve ndaj qytetarëve, perceptimi është se shumë prej shërbimeve që ata marrin nuk u jepen në kohë dhe me cilësinë e duhur, madje shpesh herë ata nuk përfillen.

– Çfarë mendojnë njerëzit për 25 prillin? A duan të votojnë?

– Duket se ka një padurim dhe një dëshirë për të marrë pjesë në zgjedhje nga perceptimi i krijuar në takimet me qytetarët e Bashkisë Pogradec. Megjithëse ka ikje të shumta të banorave në emigracion, besojmë se këto do të jenë zgjedhje që do të kenë një pjesëmarrje më të lartë se ato të vitit 2017. Pjesëmarrjet e larta në zgjedhje të qytetarëve shkojnë zakonisht në favor të rotacionit politik dhe të ndryshimit. Edhe nga takimet e bëra, megjithëse ka një atmosferë presioni nga pushteti, qytetarët nuk hezitojnë të marrin pjesë. Shumë prej tyre pohojnë se nuk ka çfarë të humbasin më.

– Zoti Çala, pse njerëzit e të Majtës shpresojnë më shumë tek LSI-ja, sesa tek Rilindja?

– Rilindja e braktisi të Majtën në çdo aspekt, qoftë ideologjikisht, moralisht apo në parime. Ajo u shndërrua nga një parti politike në një kastë që e përdor pushtetin për përfitime. Megjithëse në politikën shqiptare nuancimet ideologjike nuk shquhen qartë, disa nga forcat politike janë përpjekur të mbajnë linjën e tyre, siç është rasti i LSI-së që ka qenë dhe mbetet një parti e qendrës së majtë. Të majtët ideologjikë do të pranonin më lehtësisht një parti të majtë se sa një kastë sunduese, ndaj kjo e ka shtyrë pushtetin aktual që të shigjetojë gjithmonë e më shumë në sulmet e tyre politike LSI-në. Rilindja jo vetëm që nuk i frymëzon të majtët, por ajo duket rreziku më i madh aktualisht për të majtën shqiptare. Ndaj të majtët do të zgjedhin më lehtë LSI-në se Rilindjen.

TË MAJTËT IDEOLOGJIKË PRANOJNË  NJË PARTI TË MAJTË SE SA NJË KASTË SUNDUESE, NDAJ KJO E KA SHTYRË PUSHTETIN AKTUAL QË TË SHIGJETOJË MË SHUMË NË SULMET E TYRE POLITIKE LSI-NË

– Cili është programi i LSI për të nesërmen, pas 25 prillit?

– Mendoj se LSI-ja duhet të jetë një element “check and balance” në qeverisjen e ardhshme. Programi politik me të cilin ju jeni njohur tashmë nga prezantimet mediatike ka disa shtylla kryesore si: rimëkëmbjen ekonomike, të rinjtë dhe shëndetësinë. Ky program duhet harmonizuar dhe duhen gjetur pikat e përbashkëta me programin e paraqitur nga PD-ja, në mënyrë që qeverisja e ardhshme të ketë kohezion dhe qëllime të përbashkëta.  Shqipëria e pas 25 Prillit duhet të ketë një qeveri normale dhe të përgjegjshme, ku LSI-ja do të ketë kontributin e saj. Duhet injektuar kultura e llogaridhënies në çdo institucion, duhet punuar për ndarjen e pushteteve dhe jo përfshirjen e tyre në një dorë, duhet krijuar klima miqësore ndaj biznesit dhe investimeve bazuar në një treg konkurues. Duhet nxitur zhvillimi dhe integrimi i vendit. Nevojiten hapa konkretë dhe jo vetëm fjalë për të krijuar një perspektivë për të rinjtë. Duhen marrë masa për frenimin e hemorragjisë së profesionistëve. Ky besoj se është vizioni ynë, i cili në radhë të parë ka kombin, pastaj partinë.

– Faleminderit!