Aktualitet

Si po e shfrytëzon Rama krizën ekonomike nga pandemia per te falimentuar bizneset dhe cila eshte zgjidhja!

Nga Nikollaq Neranxi

Në këtë kohë krize ekonomike, ku asaj ekzistuese iu bashkëngjit edhe ajo nga pandemia, qeveria shqiptare, nga dashakeqësia po nxiton të shkatërrojë sipërmarrjet e krijuara me sakrifica të mëdha përgjatë dekadash.

Në një kohë krize ekonomike dhe pandemike, është detyrë e shtetit që të rishikojë totalisht nivelin e taksave që kërkon të vjelë. Një kohë e tillë kërkon patjetër të ketë një studim jo vetëm të impaktit të krizës në ekonomi, por të impaktit të krizës në çdo sektor të jetës, në mënyrë që taksat dhe rishpërndarja të personalizohen urgjentisht me mënyrën sesi kjo krizë ka ndikuar në çdo sektor. Kjo gjë duket qartë që nuk është arritur, por, përkundrazi, edhe paketat ndihmuese që janë ofruar, kanë qenë të lidhura specifikisht me madhësinë e biznesit dhe jo me sektorin e aktivitetit.

Në kohë krizë pandemie, shteti duhet të anulojë apo të shtrijë në një kohë më të gjatë projektet dhe reformat e parashikuara. Qeveria Rama, në 8 vitet e fundit, ka rritur ndjeshëm nivelin e barrës fiskale tek individët dhe bizneset. Herë në formën e tentativës së dështuar të uljes së informalitetit e korrupsionit, herë duke rritur e zgjeruar fashat fiskale, ajo nuk ka arritur të kryejë detyrën e rishpërndarjes apo të rikthimit mbrapsht në formë të mirash, të taksave të vjela. Detyrën e parë, atë të rishpërndarjes, e kemi parë të dështojë si rezultat i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve (mbyllje e qindra bizneseve) dhe pasurimit të mëtejshëm të 10 biznesmenëve miq të Ramës. Detyra e dytë, ajo e rikthimit mbrapsht të taksave të paguara, nuk solli një rritje të vërtetë ekonomike.

Në këtë kontekst, në një kohë krize si kjo, shteti shqiptar do të duhej të ndalonte menjëherë, për një afat të caktuar, deri në fund të rimëkëmbjes ekonomike, taksat që lidhen fillimisht me investimet. Të tilla janë taksat bashkiake si ajo e infrastrukturës apo ajo e arsimit. Këto taksa, të cilat kanë për qëllim ndërtimin e veprave infrastrukturore apo arsimore, janë jo vetëm tepër të larta, por mbi të gjitha në disproporcion kohor.

Çdonjëri nga ne do të donte të ndërtoheshin shkolla të reja dhe vepra infrastrukturore, por ritmi i ndërtimit të tyre duhet të jetë në proporcion me nivelin ekonomik të individëve dhe bizneseve dhe të mos zërë një porcion tejet të lartë të të ardhurave të tyre.

Një sakrificë e tillë do të mund të bëhej vetëm për një reforme të suksesshme ekonomike, e cila do të rikthente në kohë të shkurtër “investimin” e bërë. Për më tepër, në një kohë të vështirë ekonomike si kjo, këto taksa duhen pezulluar menjëherë.

Dy taksa të tjera që duhen rishikuar në ulje, të paktën për një kohë të caktuar, deri në rimëkëmbjen ekonomike, janë ato të tatimit mbi fitimin dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Këto dy taksa natyrisht përbejnë edhe burimin kryesor të të ardhurave për shtetin dhe niveli i tyre duhet ulur aq sa e lejon moscenimi i funksioneve bazë të shtetit.

Në një situatë krize pandemie, pyetja që shtrohet është: a duhet lënë tregu i lirë për të dalë më shpejt nga kjo krizë, apo është e nevojshme ndërhyrja e shtetit? Përgjigjja për këtë është: Varet nga ndërhyrja që shteti bën. Nëse kemi të bëjmë me një shtet, i cili arrin ta studiojë ekonominë e vendit, vështirësitë specifike të sektorëve ekonomikë dhe gjen mekanizmat e duhur për të ndërhyrë financiarisht në rimëkëmbjen e tij, patjetër që do të rikthente te çdo aktor ekonomik një shumëfishe të taksave të vjela.

Por, a ndodh kjo në vendin tonë? A është shteti ynë i aftë të bëjë ndërhyrjet e duhura dhe a ka dhënë prova për këtë? Natyrisht që jo. Le ta shpjegoje përmes disa pikave:
– Menaxhimi i krizës aktuale: Asnjëra nga paketat e deritanishme financiare nuk ka pasur si qëllim ndihmësen ndaj biznesit në mënyrë direkte. Kreditë me garanci sovrane jo vetëm nuk funksionuan, por shtynë bizneset drejt kreditimit për të paguar pagat e punonjësve, një absurd që nxit dhe rrezikon falimentimin e tyre. 3 muajt e një page për të papunët nuk ishin veçse evitim i një kryengritje popullore që do të mbulohej nga skamja. Ndërsa mbulimi i pagave në nivelin e pagës minimale për bizneset e vogla, ishte veçse një kosto e sigurt për t’u paguar qoftë në këtë formë, apo qoftë në pensione papunësie e ulje drastike të konsumit. Po çfarë u bë konkretisht për ruajtjen e strukturës së biznesit? Çfarë u bë për sektorë të veçantë që shkuan drejt falimentit? Çfarë u bë për rimëkëmbjen e xhiros së ulur të bizneseve të mëdha, e cila ndikon gjatë nivelin e PBBsë? Asgjë veç karakterizimit të drejtuesve të bizneseve të mëdha si “gjakpirës” e deri “shkaktarë” të kësaj situate, përmes fjalimeve cinike të Kryeministrit.

– Korrupsioni: Ka qenë dhe vazhdon të mbetet sëmundja më e rrezikshme e ekonomisë sonë. Korrupsioni është arsyeja kryesore pse në asnjë prej qeverive të 30 viteve demokraci, biznesi shqiptar nuk ka marrë mbrapsht taksat e paguara. Një shtet me një korrupsion të lartë si Shqipëria, krijon jo vetëm pakënaqësi, rezistencë dhe tentativë për shmangie të taksave, por gjithashtu padrejtësi sociale në shpërndarjen e të ardhurave dhe një frymë të lartë mosbesimi. Në këto kushte, edhe rishpërndarja e taksave, do të humbiste impaktin e saj.

Prandaj, zgjidhja është të lëmë tregun të lirë të autorregullohet, pa ndërhyrje kaotike, të pastrukturuara dhe mbi të gjitha të rrethuara me interesa financiare të pushtetarëve. Kjo bëhet duke ulur taksat, për t’i dhënë kështu mundësi tregut dhe kompanive private, por edhe individëve, të paguajnë me pak taksa dhe të rigjejnë ekuilibrat e nevojshëm për të rivendosur ciklet bazë të ekonomisë. Kështu do të mund të krijojmë një frymë optimizmi, i cili do të shoqërohet me një konsum më të lartë e, si kundërpërgjigje, një ofertë më e lartë nga ana e ndërmarrjeve private për produkte dhe shërbime. Kjo do të sillte një kërkesë për forcë punëtore, vende pune të reja dhe natyrisht më shumë konsum.

Një shtet, i cili e ka të pamundur të identifikoje mënyrën e saktë të ndërhyrjes për ta rimëkëmbur atë nga një krizë, duhet patjetër t’ia lërë atë në dorë tregut dhe sektorit privat, për ta bërë nëpërmjet uljes së barrave fiskale të paktën deri në rimëkëmbjen e plotë ekonomike si pasojë e pandemisë.

Së fundmi, shteti duhet të pezullojë menjëherë taksa, të cilat kanë karakter sektorial dhe të cilat bien ndesh me krizat ekonomike në përgjithësi dhe krizën aktuale në veçanti. Të tilla janë taksat bashkiake të zënies së hapësirës publike apo taksa e tabelës. E para, bie ndesh me rekomandimet e OBSH për mosfrekuentimin e ambienteve të mbyllura, ndërsa e dyta lidhet në mënyrë direkte me frenimin e konsumit dhe për rrjedhojë të ekonomisë sektoriale.

Në këtë kohë pandemie, çdo qeveri në botë po merr masa për lehtësira fiskale dhe stimulimin e konsumit. Këto shtete kanë zgjedhur tregun si autorregullator, duke i krijuar kushtet e nevojshme përmes uljes së barrës fiskale, si zgjidhje.

Me fondin e taksave të tyre, këto shtete po subvencionojnë xhirot e munguara dhe po krijojnë frymëmarrjen e nevojshme pikërisht nëpërmjet objektivit të rigjetjes së ritmeve të rritjes ekonomike të sektorit privat.

Ndërsa qeveria Rama çfarë po bën? Jo vetëm që nuk po jep asnjë ndihmë, por me një frymë urrejtjeje po bllokon llogaritë bankare nëse vonojmë qofte edhe një ditë pagesat në shtet. Dhe pasi i merr me forcë këto pagesa, na detyron të paguajmë gjoba dhe kamatëvonesa. Të gjitha këto, në kohë pandemie. Kjo që po bën Rama sot me sipërmarrjet private, është jo vetëm e gabuar, por kriminale. Të kërkosh të falimentosh bizneset, duke shfrytëzuar pandeminë, Rama, ashtu si virusi që vret trupin e njeriut, na ka hyrë si virus në kompanitë tona dhe kërkon t’i vrasë ato.

Vaksina në këtë rast është vetëm një, biznesi të bashkohet dhe t’i përgjigjet Ramës, ashtu siç e meriton. Mbrojtja jonë duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me sulmin që na bëhet. Duhet të shpëtojmë bizneset tona, të cilat nuk na i ka dhuruar njeri, por i kemi krijuar me djersë dhe sakrifica.

Shkrim i botuar sot ne gazeten “Panorama”

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania