Kryemadhi e prerë: S’ka shans që Rama të ëndërrojë koalicion me LSI (VIDEO)

Politike

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi nga Fieri për ‘News24’ se në zgjedhjet e 25 prillit bashkë me PD dhe opozitën e bashkuar do të garojnë me dy lista të ndara.

Përmes një lidhjeje skype për rubrikën ‘Opinion’, Kryemadhi tha se nuk vuan për karrige në këto zgjedhje, ndërsa theksoi se nuk ka komplekse sa i takon faktit që nëse opozita fiton, Basha të jetë kryeministër.

Ajo tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë post zyrtar, ndërsa shtoi se pika që bashkon opozitën e bashkuar është; largimi i Edi Ramës më 25 prilli.

Ju sot ndodheni për takime në Fier. Si kanë qenë këto takime? Çfarë shqetësimesh keni hasur?
Sot i kam nisur që në orët e para të mëngjesit takimet në Fier. Ku jemi takuar me qytetarë, me biznese. Një nga problemet më të mëdha që ka kjo bashki, është çështja që ka të bëjë me taksat e larta dhe koston e jetesës së lartë si dhe për largimin e fëmijëve nga vendi. Qyteti i Fierit është arsimdashës. Sot ajo që ndihet është varfëria e përditshme e familjeve të Fierit. I jam kushtuar 4 rajoneve të Fierit. Probleme janë; çmimet e larta, të energjisë elektrike, të ushqimeve. Nesër jam në Vorë.  Tashmë na ndajnë vetëm 96 ditë nga 25 prilli, çdo ditë e më shumë vjen duke u ngushtuar hapësira midis datës 25 prill që do të jetë referendumi për të gjithë qytetarët shqiptarë, por nga ana tjetër rrit dhe përgjegjësinë e forcave politike, por më shumë të të gjithë atyre individëve, personaliteteve, liderëve apo edhe figurave publike të partive, për të shpallur programet dhe angazhimet e tyre, gjë që është nga më të rëndësishmet sot, për të cilat qytetarët shqiptarë kanë nevojë.

Kur do të jetë gati programi i LSI?
Programi është gati. Është reflektuar çdo gjë, një nga pikat tona kryesore është punësimi i të rinjve dhe punësimi. Sot me rëndësi është e ardhmja e fëmijëve. Prindërit duan garant për një punësim dinjitoz të fëmijëve të tyre dhe që t’i kenë në shtëpi. Nga të gjitha konsultimet që kemi bërë me grupet e interesit, pikat kryesore janë fëmijët, familja, kostoja e jetesës dhe mundësia për t’u shkolluar. Ne jemi gati që të paraqesim fjalën dhe ne i qëndrojmë premtimet tona. Është e vetmja parti që iu ka dhënë hapësirë të rinjve. Kemi 6 breza që janë pjesë e LSI, e kanë nisur që të rinj e sot janë profesorë, mjekë e inxhinierë. Sot jam me një mike timen, Ela. Ajo sot është banore në Fier, jeton aty me familjen. Premtimet tona për programin elektoral, janë vizioni që kemi për ekonominë shqiptare që kemi për të rinjtë dhe të rejat, për familjet shqiptare. Sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për vizion e qartësi. Vijon që të flitet sikur Shqipëria jeton në parajsë, por ajo jeton në varfëri të tejskajmesh. Sot shqiptarët paguajnë taksa më shumë dhe e kanë shëndetësinë më të shtrenjtë. Një kurë e COVID nxori zbuluar shëndetësinë falas, që ishte mashtrim i radhës. Ne iu kemi rritur koston e jetesës për shqiptarët. Një nga synimet tona është: ‘Made in Albania’ me tvsh zero. Duhet t’i japim mundësi bujqësisë shqiptare që të zhvillohet. Miliona euro që ikin nga rrugët që prishen nga një shi, mund t’i shkonin të rinjve për punësim.

A ka një program të përbashkët me opozitën e bashkuar për këto zgjedhje zonja Kryemadhi?
Kemi shumë pika të përbashkëta si opozitë e bashkuar. Pika jonë kryesore është largimi i Edi Ramës më 25 prill. Largimi i Edi Ramës dhe i Rilindjes më 25 prill krijon hapësirën për të tjetërsuar klimën e biznesit, për të krijuar hapësira për investime të reja të huaja për të cilat ka nevojë vendi që krijojnë vende pune, çlirimin e mentalitetit dhe të ekonomisë shqiptare, krijimin e një shëndetësie më të mirë dhe më të merituar për shqiptarët.

A do të ketë një paketë të mirëfilltë si opozitë?
Sigurisht që taksa e sheshtë është një nga pikat që ne kemi të përbashkët, ku PD-ja është angazhuar për 9%, ne kemi qenë për 10%, por do të biem dakord. Është e rëndësishme që të jetë taksë e sheshtë. Është si puna e datës 28 e 29, që ç’bëri 28 e ç’bëri 29 tha Ismail Qemali. Kështu që për ne është e rëndësishme taksa e sheshtë, që çliron biznesin e vogël, çliron biznesin e mesëm. Ne kemi propozimet tona që do t’i sjellim pasi të finalizohet aksioni opozitar për 25 prillin.

A do jeni në koalicion me PD?
Ne jemi me koalicion jo vetëm me PD, por me të gjitha partitë opozitare, që janë në frontin opozitar. Ne jemi në koalicion me shqiptarët që në 25 prill do të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Ju keni aktualisht në koalicion me PD, por keni një program më vete dhe lista me vete. Do hyni bashkë apo LSI do të hyjë vetëm. Kur të bëni fushatë do bëni në emër të LSI apo bashkë?
Kjo ka të bëjë në këndvështrime të ndryshme. Nuk është as vonë, as herët. Kushtet e pandemisë e kanë ndaluar fushatën elektorale mediatike, me angazhimin e partive politike. Por strukturat e partive janë në terren. Pak më parë u takova ne drejtuese të PD në Fier, u rakorduan punët. Sa i prekët listës, kjo gjë është më se e qartë. Fryma është ajo që krijon numrin më të madh të mandateve. Nëse një listë e vetme do t’i jepte fitore maksimale opozitës, ju mendoni që Edi Rama do të shkelte Kushtetutën, do të shkelte marrëveshjen e 5 qershorit, do të krijonte konflikt të drejtpërdrejtë me Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo, me 3 ambasadorët, më të gjithë Komisionin Europian, me Komisionerin për Zgjerimin. Pra nëse ai do të krijonte një konflikt kaq të madh për të favorizuar opozitën, unë mendoj që kjo është thjesht një shashkë që kërkohet për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, për të larguar vëmendjen nga varfëria, nga keq menaxhimi i pandemisë, për të larguar vëmendjen e atyre 10 mijë familjeve që kanë humbur shtëpinë në tërmetin e 26 nëntorit e vazhdojnë të jetojnë akoma në çadër, për të larguar vëmendjen e atyre nënave që u është djegur shpirti për fëmijët e tyre që kanë ikur në emigracion, edhe pse kanë në xhep diplomat e universiteteve që kanë mbaruar dhe për të demotivuar opinionin publik, që shqiptarët të mos shkojnë për të votuar. Koalicioni i opozitës, fronti opozitar me fuqinë e dy listave, sigurisht që çojmë në kutinë e votimit më shumë vota, duke pasur 280 kandidatë, sesa duke pasur 120 kandidatë.

Ka konkluduar Basha një marrëveshje me ju?
Ne jemi në kontakt me PD. Zoti Vasili është personi kryesor që ndjek mbarëvajtjen e marrëveshjes me opozitën. Ai është kandidat për Tiranën. Kurse unë për hir të së vërtetës jam e detyruar që të lëviz nga Veriu në Jug. Pika jonë e përbashkët është; largimi i Edi Ramës në 25 prill.

Përse ende nuk ka një marrëveshje?
Kemi një marrëveshje mes LSI dhe partive opozitare. Është marrëveshja e 23 prillit të 2019-ës. Për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, zoti Basha është drejt konkludimit të marrëveshjes me të gjithë aleatët.

A ka ndonjë pikë ku nuk bini dakord bashkë?
Vetëm një pikë është e pa kaluar nga LSI; Edi Rama dhe Rilindja duhet të ikë më 25 prill. Nuk ka shans që Edi Rama ta ëndërrojë që të ketë mundësi bashkëpunimi me LSI. Largim me çdo çmim të Ramës.

A është zoti Basha kandidat për kryeministër?
Zoti Basha e ka deklaruar shumë muaj pas meje. Unë e kam thënë shumë muaj para. S’kam shenjë kompleksi për sa i përket qeverise së ardhme. Ajo që është më rëndësi është që të bëjmë një referendum për shqiptarët. Sa i përket karrigeve, është populli ai që do të vendos. Përpara se të flasim për karrige, të nxjerrim popullin të votojë.

Ju nuk e aspironi?
Mendoj se çdo aspiratë e Monika Kryemadhit s’ka të bëjë me karriget e pushtetarve. Që kur kam qenë anëtare e Formimit Rinor, dhe deri sot, s’kam pasur asnjë post shtetëror. S’ka qenë ky qëllimi i Kryemadhit. Qëllimi është që rinia shqiptare ta gëzojë vendin.
(BalkanWeb)