Rama homazh Ismail Qemalit, në ditën e lindjes: Për Shqipërinë që bëre Zonjë

Kryeministri Edi Rama, i bën homazh “njeriut të Pavarsisë” Ismail Qemali, në ditën e tij të lidnjes.

Ismail Qemali u dha dorën atyre që nën mëngë fshihnin kamën dhe shmangu vëllavrasje e përçarje, shkruan Ranma, ndërsa shton se ai e bëri të pakthyeshme dinamikën e shqiptarëve si faktor në shoqërinë e kombeve të lirë.

“Nuk di për çfarë mund t’i themi këtij të pavdekshmi faleminderit më parë, në këtë përvjetor të lindjes së tij! Në mendje më vijnë vetëm një grusht me fjalë: Për Shqipërinë që bëre Zonjë, o Ati ynë, brez pas brezi të qofshim falë”, shkruan Rama ndër të tjera.

HOMAZH

Njeriu që fati zgjodhi për ne, për të vendosur mbi kryet e Nënës Shqipëri, kurorën e sovranitetit, ishte një shqiptar i kurorëzuar nga virtutet dhe hiret. Sado larg të shtrihet vështrimi ynë në histori dhe në kohë, do të shëmbëllejë gjithmonë si yll i bardhë fytyra e hijshme dhe ogurmirë e kasnecit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës.

Vetmitar e megjithatë kurdoherë me dishepuj, shqiptar unik e kozmopolit, që kur i thonë ha bukë krejt më vete, Ismail Qemal Vlora çau me jetën e tij një shteg që sot e përjetë është udhërrëfim i sigurtë për këdo dëshiron që Shqipërisë t’i jetë shërbestar.

Oxhak i vjetër, mendjehapur, luajal, i pavarur, i përkushtuar ndaj ideve, por i lirë dhe pragmatik, e jetoi me pasion dhe vendosmëri jetën e shënuar nga provania, duke u bërë shembull i lartësive njerëzore dhe morale për tërë brezat e mëpastajme. Me dashuri u martua me një zonjë jo të fesë së tij, prej dashurisë la të mirat e një pushteti të trashëguar, për, siç i shkruan trashëgimtarit të Osmanit, “të bërë diçka për vendin tim, Shqipërinë”.

Që shqiptarëve t’u mbetej në fund midis tyre, të paktën atdhe-dashuria, shpërfilli deri pushtetin që i dha jo trashëgimia, por historia, gjatë një pleqërie kaluar syrgjyneve. Diti sa e sa herë t’ia fillonte nga e para, si për shembull kur megjithë lodhjen e hallet e moshës u mandatua nga shqiptarët e Amerikës t’u printe në luftën politike për mbrojtjen e atdheut në Konferencën e Paqes. Dialogoi me të paarsyeshmit, u bë zëri dhe fytyra e qindra e mijëra shqiptarëve të panjohur, që Shqipërinë e deshën njësoj e për të bënë ç’mundën, u dha dorën atyre që nën mëngë fshihnin kamën, shmangu vëllavrasje e përçarje dhe e bëri të pakthyeshme dinamikën e shqiptarëve si faktor në shoqërinë e kombeve të lirë.

Nuk di për çfarë mund t’i themi këtij të pavdekshmi faleminderit më parë, në këtë përvjetor të lindjes së tij! Në mendje më vijnë vetëm një grusht me fjalë: Për Shqipërinë që bëre Zonjë, o Ati ynë, brez pas brezi të qofshim falë!

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments