Sulmi në Kapitol, ambasadorja Kim: Do ta paguajnë, faleminderit shqiptarëve që u shqetësuan!

Aktualitet Politike

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar për ngjarjet e fundit në Amerikë dhe  sulmin  ndaj Kapitol Hill që tronditi të gjithë botën.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ambasadorja shkruan se ata që kishin gisht në këto ngjarje, duhet ta paguajnë. Ndërsa nuk harron që të falenderojë të gjithë shqiptarët që u shqetësuan për këto trazira të paprecedente.

Postimi i plote i ambasadores Yuri Kim:

Shumë miq të Shqipërisë kanë shprehur tronditje dhe shqetësim rreth sulmit të fundit mbi Kapitolin e SHBA. Unë do të doja të ju falënderoj për qëndrimin me ne.

Dje, Presidenti Trump bëri të qartë se SHBA është & duhet të mbetet një komb i rendit dhe ligjit, dhe ata që shkelën ligjin do të paguajnë një çmim.

Presidenti Trump gjithashtu e bëri të qartë se Kongresi ka vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve tona dhe ai tani është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe pa ndërprerje të pushtetit në 20 Janar.

Çfarë SHBA këshillon për të tjerët zbatohet edhe për ne: liria e fjalës dhe e drejta e mbledhjes janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit.

Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk duhet të merret si e mirëqenë nga askush prej nesh. SHBA do të dalë më e fortë dhe më e mençur pas kësaj prove të demokracisë sonë.