Kryemadhi: Të bindim qytetarët të votojnë, si dhe të aplikojnë për karta identiteti

Politike

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ka nisur ditën e sotme me banorët e Njësisë NR. 9 në Tiranë, me të cilët ka diskutuar për problematike të ndryshme sociale.

Gjatë fjalës së saj me qytetarët, Kryemadhi është shprehur se sot njerëzit ndihen të pa përkrahur, të pambrojtur, nuk kanë mundësinë e krijimit të biznesit, të hapjes së një vendi pune ose plotësimit të kërkesave kryesore familjare për familjet e tyre

Ne kemi të domosdoshme jo vetëm pikën dhe kontaktin për t’u takuar me strukturat e partisë, të cilën ne e kemi bërë të pandalshme, por e kemi të domosdoshme për të takuar dhe për të biseduar me qytetarët. Ajo e cila unë kam vënë re është që sot njerëzit ndihen të pa përkrahur, të pambrojtur, nuk kanë mundësinë e krijimit të biznesit, të hapjes së një vendi pune ose plotësimit të kërkesave kryesore familjare për familjet e tyre. Ajo që ne duam të kemi në kontakt të përditshëm me njerëzit është që ata të jenë jo vetëm të gatshëm që të shkojnë të votojnë, por dhe të kenë mundësi të votojnë atë që ata duan dhe pse jo edhe formacionin politik që ata duan.

Unë jam e bindur që ne si LSI kemi shanse dhe mundësi, sepse krijimi i hapësirave të reja për të rinjtë, për të rejat, për gratë, për vajzat, për shumë njerëz që vijnë nga shoqëria civile, por edhe nga bota akademike, japin hapësira për përfshirjen e shumë njerëzve, por edhe krijimin e disa hapësirave më shumë të qytetarëve për të zgjedhur. Qytetarët kanë nevojë të shikojnë shumë opsione dhe shumë alternativa. Sa më shumë alternativa të shikojnë, aq më demokraci ka brenda një procesi, edhe pse demokracia në Shqipëri është shumë e brishtë sot ne e kemi të domosdoshme jo vetëm të konsolidojmë demokracinë, por edhe për ta zhvilluar atë më tej.

Ngjarjet në Amerikë treguan që shtetet e forta dinë të ringrihen mbi emocionet politike, mbi interesat individuale, mbi shumë gjëra të tjera, ashtu sikurse dhe shqiptarët kanë ditur të ringrihen mbi interesat apo allishverishet personale të individëve të caktuar”, ka theksuar Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI ka komentuar thirrjen e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për kartat e identitetit, duke thënë se të gjithë qytetarët duhet të pajisen me to para zgjedhjeve të 25 prillit.

“Unë në fakt doja ta nisja ditën me njësinë 9, me këtë strukturë, në mënyrë të tillë që bashkë me Erionën, me Vojon, me Kolin, por edhe me ju, edhe në kuadrin e pandemisë që nuk na i lejon takimet e mëdha, por nga njëra anë ka një avantazh dhe eficencë më të madhe, sepse na bën të mundur takimet nëpër shtëpia me qytetarët. Unë e di që sot në Tiranë qytetarët janë më me pak shpresë, sot qytetarët i kanë mundësitë që taksat t’i paguajnë shumë më shumë se 4 vite më parë, kur në fakt mundësitë e tyre për të pasur të ardhura nga pagat apo biznesi i tyre, jo vetëm janë minimale, por po shkojnë drejt reduktimit. Pandemia ka rrënuar ekonominë e qytetit të Tiranës, por nga ana tjetër edhe ndihma e qeverisë për bizneset ka qenë jashtëzakonisht e vogël, të mos them inekzistente, ka qenë thjesht një fasadë. Pra më shumë i është përkushtuar  oligarkëve të emëruar për t’i dhënë para dhe fonde nga buxheti i shtetit, se sa janë përqendruar për t’iu dhënë bizneseve për të mbijetuar apo për të shmangur falimentimin.

Kështu që tashmë nuk kemi më kohë, evidentimin e njerëzve, takimin me ta, bisedat me ta, dhe ajo që është më e rëndësishmja qytetarët më 25 prill duhet të shkojnë të votojnë te kutia e votimit. Ndërkohë ne në LSI e kemi këtë të veçantë, se pjesën ë të madhe të votuesve i kemi të rinj dhe të reja dhe atë kartën e identiteti e kanë akoma në afat, por pavarësisht nga kjo ne duhet të informojmë çdo qytetar për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe për ta rinovuar atë, edhe pse me thënë të drejtën në këtë situatë krize është shumë e shtrenjtë për ta. Por nga ana tjetër është edhe verifikimi në listat e zgjedhësve, ku ne duhet t’i verifikojmë gjithmonë njerëzit, sepse mund të bësh kartën e identitetit, sepse gjendja civile të ka çuar nga Tirana të votosh në Kolonjë, apo diku tjetër. Kështu që kjo është detyra e strukturave të partisë, evidentimet e problematikave të listave të zgjedhësve, pajisjen e njerëzve me kartat e identitetit për t’i informuar ata dhe sigurisht rikujtimi i një procesi shumë të rëndësishëm  siç është procesi i 25 prillit, që do të jetë një referendum mbarë popullor, ndaj një problematike që vetëm i ka krijuar më shumë probleme Shqipërisë”, është shprehur ajo.