Rama/ Sot paguam kaparin për vaksinën anti-Covid
Kryeministri Edi Rama ka thënë sot se Shqipëria i ka paguar kompanisë COVAX kaparin për vaksinën anti-Covid që pritet të dalë së shpejti.
Rama tha se vendi ynë është tashmë pjesë e atyre shteteve që e kanë paguar detyrimin financiar ndaj COVAX dhe do të përfitojë një numër vaksinash të cilat do të jenë falas, fillimisht për shtresat më të prekura, e më pas për pjesën tjetër të popullsisë.
“Qeveria shqiptare, brenda afatit që skadon sot në mesnatë, ka paguar edhe kaparin për Covax, ka hyrë në listën e shteteve që kanë paguar financiarisht për vaksinën që pritet të dalë në vijim.
Kam patur edhe një sërë bisedash edhe me kancelarin para se të vija këtu, për të patur një qartësi, pasi vaksina do të dalë, por sasitë nuk do të jenë të menjëhershme për të mbuluar të gjithë popullsinë e Europës. Ne kemi një strategji që të fillojmë me vaksinimin falas të shtresave më të prekshme dhe më par të gjthë të tjerët”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij në parlament, i bëri thirrje shqiptarëve të tregojnë kujdes ndaj spekulantëve që e shfrytëzojnë ankthin e personave të prekur me Covid për të përfituar, duke u ofruar atyre lloje të ndryshme ilaçesh që s’kanë asnjë efekt ndaj sëmundjes.
“Në këtë buxhet kemi vazhdimin e një mbështetjeje që hyn në fuqi në ditët në vijim për të gjithë të prekurit me Covid, në kushte shtëpie. Dua ta përsëris edhe sot, që t’u them qytetarëve se duhet t’i referohen besnikërisht mjekut të familjes, dhe të gjitha këshillave që marrin nga Urgjenca Kombëtare e të mos marrin ilaçe, e të mos shpenzojnë nga buxheti i familjeve të tyre për të bërë, larg qoftë, dëm në familjet e tyre. Ky është një problem edhe në vendet e tjera shumë më të zhvilluara se ne, ku vërehet fenomeni i marrjes së medikamenteve që nuk ndihmojnë. Këtu hyjnë spekullantët, ankthi i familjes, pasiguria e vetë personit të prekur që nxitet të bëjë maksimumin që ato ilaçe bazë të recetës bazë, nuk mjaftojnë. Në fakt është këmbëngulje e përditshme e ekspertëve, Komitetit Teknik që qytetarët të mos bien pre e ankthit dhe spekulantëve dhe të mos i marrin këshillat me Watsapp, nga mjekë që nuk janë të specializuar dhe autorizuar”, deklaroi Rama.