Rama: Edhe vendet që testonin masivisht, sot po bëjnë si Shqipëria!

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Rama tha se edhe vendet e tjera që po testonin masivisht në muajt e parë të pandemisë, tani janë frenuar dhe po fokusohen, aty ku sipas tij, Shqipëria është fokusuar që prej fillimit.

Mes të tjerash, Rama theksoi se nëse Komiteti Teknik i Ekspertëve do të kishte kërkuar më shumë teste, patjetër që qeveria do t’i kishte blerë, ashtu siç sipas tij, u gjet zgjidhje për naftëtarët e Ballshit, apo siç është vendosur të dyfishohet ndihma ekonomike nga janari i 2021-shit.

“Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Sot në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësi ekselente, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin, nëse nuk ke simptoma të një grade të caktuar, por të thonë të qëndrosh në shtëpi. Vajtja me turravrap për të bërë tamponin te privati dhe për të paguar atje para, që shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet sot që flasim, tani, nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Edhe shtetet që bënin testime, testime, tani janë frenuar, duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe disa vende të tjera janë fokusuar qysh në krye të herës. Jo se jemi më të zotë, por se kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë. Nëse Komiteti Teknik do na thoshte të blinim teste më shumë, normalisht që do t’i blinim. Siç gjetëm mundësinë të paguajmë naftëtarët, edhe pse nuk ishte një hall i krijuar nga ne. Siç kemi vendosur të dyfishojmë ndihmën ekonomike nga janari i vitit tjetër, patjetër që do ta gjenim mundësinë për të shtuar testet.

Por në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën, sa të infektuar ke, sa fatalitete ke dhe sa shtretër ke në dispozicion. Nëse në këto të treja nuk je në gjendje alarmi, do me thënë se po bën gjënë e duhur. Nëse në këto të treja Shqipëria nuk është asgjëkundi në vendet që kryesojnë listat për të infektuar, të vdekur dhe kapacitete në shtretër, por është në një dispozicion që hyn te normale, atëherë tjerat janë asgjë. Mund të ndodhë në proces, nuk e dimë, por ndaj jemi përgatitur për më të keqen. Nëse numrat shkojnë përtej kapaciteteve, kemi spitalet rajonale, por sot nuk ka ndodhur. Edhe në rajonin tonë ne jemi me parametrat më lehtësues. Ne do të bëjmë gjithçka, të gjithë së bashku, që deri në fund të kemi një bilanc për të cilin të jemi të gjithë të lehtësuar me vetveten dhe me njerëzit, që bëmë gjithçka mundëm dhe Shqipëria doli nga kjo luftë me të gjitha pasojat, që çdo luftë sjell, por me asnjë pasojë më shumë se gjithë të tjerët”, deklaroi kryeministri Rama.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments