Lajm i mrekullueshem/ Gjermania bën planin e vaksinimit pas suksesit të madh.
Në Gjermani, qeveria pritet të miratojë brenda këtyre ditëve planin e plotë të vaksinimit.
Fillimisht vaksina nuk do jetë e mundur për të gjithë, ndaj të vaksinohen së pari grupet e rrezikuara, të moshuarit, bluzat e bardha dhe policët. Plani është miratuar nga Këshilli i Etikës dhe pritet të publikohet të hënën.
Ky zhvillim vjen në kohën kur një lajm i mirë ka mbërritur nga ajo që njihet si vaksina gjermane.
Sipas gazetës BILD, ka shpresa të mëdha në luftën kundër koronës. Kompania gjermane Biontech, në bashkëpunim me gjigantin e farmaceutikës, Pfizer, do të aplikojnë për miratimin e vaksinës në nëntor.
Ky vendim vjen pasi të dhënat e testimeve janë pozitive. Ato kanë treguar se vaksinimi ofron më shumë se 90 përqind mbrojtje kundër koronavirusit.
Me fjalë të tjera, nga pjesëmarrësit në testim që morën vaksinën, rreziku nga koronavirusi u ul me 90 përqind.
“Kjo është prova e parë që Covid-19 mund të parandalohet nga një vaksinë,” tha shefi i Biontech, Ugur Sahin.
Nevojiten dy doza, me tre javë ndarje. Provat – në SH.B.A, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi – tregojnë se mbrojtja prej 90% arrihet shtatë ditë pas dozës së dytë.
Pfizer beson se do të jetë në gjendje të furnizojë 50 milion doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliardë deri në fund të 2021.
Sidoqoftë, ekzistojnë sfida logjistike pasi vaksina duhet të mbahet në depo ultra të ftohtë nën minus 80C. Dr Albert Bourla, drejtor i Pfizer, tha: “Ne jemi një hap i rëndësishëm më pranë sigurimit të njerëzve në të gjithë botën me një përparim shumë të nevojshëm për të ndihmuar në dhënien fund të kësaj krize globale shëndetësore.”
Prof Ugur Sahin, një nga themeluesit e BioNTech, i përshkroi rezultatet si një “moment historik”. Britania e Madhe tashmë ka porositur 30 milion doza.
Zhvilluesit e saj, kompania Pfizer me qendër në Nju jork dhe BioNTech me qendër në Gjermani e përshkruan atë si një “ditë të madhe për shkencën dhe njerëzimin”.
Vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe nuk janë ngritur shqetësime për sigurinë. Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratim emergjent për të përdorur vaksinën deri në fund të muajit.
Një vaksinë – krahas trajtimeve më të mira – shihet si mënyra më e mirë për të dalë nga kufizimet që janë vendosur në të gjithë botën.
Janë rreth një duzinë në fazat e fundit të testimit, por ky është i pari që tregon ndonjë rezultat. Ai përdor një qasje plotësisht eksperimentale – që përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit – në mënyrë që të trajnojë sistemin imunitar.