Gjykata e Posaçme e Apelit zbardh vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Prokuroria ka ngritur akuza të reja për ish-ministrin dhe dhe ka gabuar në rikualifikimin e veprës penale. Madje, sipas Apelit të Posaçëm, Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela nuk u është lënë mundësia të mbroheshin.
Po ashtu thuhet ndër të tjera se Tahirit dhe Jaeld Celës nuk iu dha mundësia të mbroheshin për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Gjykata e cilëson si jopërfundimtar vendimin që është marrë në Katania të Italisë pasi nuk plotëson kushtet. Nga ana tjetër janë shkelur disa dispozita nga Prokuroria për akuzat e reja ndaj Tahirit dhe Jaeld Çelës si dhe në rikualifikimin e veprave penale nga Gjykata e Krimeve të Rënda e cila ka dhënë edhe një vendim më parë por që Gjykata e Posaçme e Apelit e hodhi poshtë.
Tashmë çështja e Saimir Tahirit pas 3 vitesh do të rikthehet për rigjykim nga fillimi teksa ish- ministri e ka cilësuar si të padrejtë këtë vendim dhe një zvarritje të qëllimshme.