PD e beri publik dite me pare emrin e saj/ Kandidatura drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj është emri që SPAK do t’i propozojë KLP për drejtuese të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mësohet se mes katër kandidatëve që kishin arritur deri në fazën finale, Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj, zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit ka arritur të kualifikohet. Drejtuesi i SPAK Arben Kraja do të lajmërojë sot në orën 14.00 zyrtarisht se cili do të jetë fituesi dhe më pas emri i tij do t’i dërgohet KLP-së për votimin përfundimtar.

BKH është një njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçe, sikurse autorizohet në ligjin për SPAK-un, 2016. Një skuadër prokurorësh të posaçëm do të punojnë së bashku që në mënyrë proaktive hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë të përfshirë në vepra penale në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Menjëherë sapo Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) të votojë kreun e BKH-së, do të nisë procesi i për përzgjedhjen e 60 oficerëve të kësaj strukture, të cilët do të trajnohen nga FBI-ja amerikane. Punonjësit e BKH-së supervizohen dhe operojnë vetëm nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorëve të Posaçëm të Prokurorisë së Posaçme.

Partia Demokratike ka paralajmëruar dite me pare se Qeveria po shtie në dorë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, duke përgatitur të vërë në krye të saj Aida Hajnajn, Zv.drejtoren e Policisë së Shtetit. Nënkryetari i PD, Edi Paloka, deklaroi se Aida Hajnaj është lënë e vetme në listë, në një kohë që figura e saj është e mbushur me skandale.

Paloka theksoi:

“Katër vjet pas miratimit të reformës në Drejtësi, qytetarët po shohin të zhgënjyer sesi institucionet reja të drejtësisë kanë rënë një e nga një në duart e qeverisë. Byroja Kombëtare e Hetimit, që pretendohet se do të hetojë krimin e organizuar dhe njerëzit e pushtetit, është institucioni i fundit që po merret nën kontroll nga qeveria. Ajo ka diktuar skualifikimin e të gjithë kandidatëve, duke lënë si emër të vetëm në listë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna.

Për postin e drejtuesit të BKH-së nuk ka garë. Qeveria e ka bërë edhe këtë si tenderat: fituesi është i paracaktuar, në mënyrë që qeveria ta përdorë sa herë të dojë dhe si të dojë për të mbrojtur ortakët e krimit të organizuar, siç ka bërë edhe në të shkuarën.

Me të drejtë, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar të papranueshëm dhe antiligjor vendimin për të skualifikuar kandidatët e tjerë, duke paraqitur Aida Hajnën si kandidate të vetme.

Aida Hajna është botërisht e njohur për një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, që la të lirë të kërkuarin për trafik droge Naser Gashi, pasi ai u arrestua rastësisht në Kukës vitin e kaluar.

Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajna, e ngarkuar me hetimin e këtij skandali, mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra policin që e denoncoi skandalin. Ky polic sot është në azil, ndërsa Aida Hajnaj po bëhet gati të drejtojë BKH-në si garanci për trafikantët e drogës dhe të tjerë kriminelë në ortakëri me pushtetin.

Aida Hajnaj është e mbytur në skandale. Më poshtë do të citoj pjesë të një raporti zyrtar të SHÇBA, shërbimit që kontrollon nga brenda policinë, por që nuk është marrë parasysh nga Komisioni i Vlerësimit, i cili e ka lënë Aida Hajnën  kandidate të vetme.  

“Në lidhje me këtë subjekt, nga ana e SHÇBA, në vitin 2018 janë marrë informacione të besueshme dhe konkrete, ku kjo shtetase implikohet në marrjen e shumave nga 10 mijë euro për dhënien e gradave policore në mënyrë arbitrare dhe preferenciale.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.9668, viti 2018, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku Aida Hajnaj dhe disa oficerë të Drejtorisë Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë janë nën hetim”.

Ky është dokument zyrtar, por reforma në drejtësi, e marrë nën kontroll nga qeveria, e ka zhvlerësuar plotësisht.

Çdo provë flet kundër Hajnës së qeverisë dhe kontrollit politik të Komisionit të Vlerësimit. Për këtë akt të dyshuar korrupsioni, Aida Hajna, pretendente kryesore për të drejtuar BKH-në, vazhdon të jetë akoma në hetim nga prokuroria.

Hajna e qeverisë duhet skualifikuar, njësoj si të tjerët dhe gara për kreun e BKH-s duhet të rihapet për të përfshirë policë të ndershëm dhe me integritet. Gara duhet të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika, në mënyrë që pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri t‘i jepet fund sa më parë,” theksoi Paloka.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments