Basha në Pogradec, thirrje bizneseve: Merrni vetë masa ndaj COVID-19, Qeveria është dorëzuar
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ditën e sotme në një lidhje ‘live’ nga Pogradeci ka folur për situatën e vështirë ekonomike që gjendet ky qytet.
Basha ka vizituar nga afër bizneset e vogla të qytetit dhe ka dëgjuar problemet e qytetarëve.
Pronarët e bizneseve janë shprehur që turistët mungojnë dhe se është përgjysmuar xhiroja ditore.
Pasi ka dëgjuar shqetësimet e një biznesi familjar bulmeti, Basha ka premtuar mbështetje për sipërmarrësit dhe bizneset.
Ndër të tjera Basha i ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen dhe të rrespektojnë distancën vetë, duke akuzuar se qeveria nuk e kontrollon më situatën.
“Jemi në Pogradec për të parë nga afër situatën e biznesit të vogël të këtij qyteti dhe gjendjen e turizmit në këto kohë të vështirësive të mëdha ekonomike. Vendit i mungojnë turistët. Kur ka pushues rriten edhe xhirot ndihmohen dhe fermerët, të gjithë. Dua tju bëj thirrje, ruani distancën, kujdesuni për higjenën. Merrni masa mos prisni nga qeveria,” u shpreh Basha.