Rama: PD nuk ka tagër që t’i japë urdhra Kuvendit

Kryeministri Rama iu përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike për të votuar sa më parë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.

“Nuk është nevoja për të vazhduar me provokime, qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda. Atyre që janë jashtë, u them që nuk kanë asnjë tagër t’i japin urdhra Kuvendit. Kryetarit të Kuvendit i është dërguar një urdhër nga sekretari i PD. Jemi të zhgënjyer nga fjalia e fundit, ku thuhet se Kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje, pa asnjë ndryshim dhe pa kushte”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend.

“Besoj që për sa më takon dhe na takon, jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të shprehim respektin për nevojën e konsensusit, duke mos ndarë ata që janë jashtë nga ju që jeni brenda, duke mos i konsideruar ata që janë jashtë si zotërues të monopolist të opozitës dhe duke mos iu konsideruar ju këtu si një mbetje e përkohshme në këtë parlament, por si deputetë legjitim të këtij parlamenti. Natyrisht që nuk do të ishte e udhës që të shpjegoj se kjo qasje e jona nuk lidhet thjesht me faktin se ne nuk i kemi votat, pasi për të miratuar kodin zgjedhor kërkohet shumicë e cilësuar që ne nuk e kemi, por sjell këtë fakt për të nënvizuar për atë që ka qenë e qartë në sjelljen tonë”, shtoi kryeministri.

“Ne nuk do të kërkojmë rrugën e diversionit dhe aq më pak rrugën e aritmetikës. Jemi akuzuar se duam ta mbyllim këtë pazar duke blerë vota. Pa diskutim, sot konsensusi nuk është dot produkt i shëndetshëm nëse shihet si rezultat i një marrëveshje mes vetëm dy palëve, ndërkohë që në këtë fazë janë 3 palë”.

“Pavarësisht, ju zonja Hajdari e keni firmosur marrëveshjen mbi të cilën është ngritur puna e detajuar për atë që është sot në tryezën e komisionit të ligjeve si produkt për t’u miratuar në kodin zgjedhor. Ne na takon, si forca më e madhe politike, por edhe si një forcë që ka përgjegjësinë të shohë përtej interesave të saj, të krijojmë një konsensus ku mbase çdo palë mund të pajtohet se nuk mund të marrë gjithçka. Dua t’iu kujtoj juve, se ata tjerët nuk janë këtu, madje dërgojnë edhe ultimatume nga jashtë për çfarë duhet të bëjë kuvendi, që edhe PS ka të drejtën të thotë diçka”.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments