Vendimi i rëndësishëm në PD, hapet procesi i përzgjedhjes se kandidatëve për deputet
Partia Demokratike fillon nga sot përzgjedhjen e kandidateve për deputet duke shënuar kështu de facto edhe nisjen e fushatës elektorale.
Kryesia e Partisë Demokratike miratoi mënyrën e përzgjedhjes se kandidateve për deputet, ku rolin kryesor e ka anëtarësia.
Për herë të parë do të ngrihet një komision i vlerësimit të kandidaturave. Rregullat dhe parimet mbi të cilat do të kryhet përzgjedhja e kandidatëve ndahen në katër faza.
1. Identifikimi dhe propozimi i kandidatëve nga anëtarët. Çdo anëtar ka të drejtën e propozimit të një kandidati. Edhe ata individë qe nuk janë propozuar nga anëtarësia, kane te drejtën e vetëpropozimit, thonë burimet.
2. Verifikimi dhe seleksionimi i kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
3. Konsultimi i listës se kandidatëve potencialë nga anëtarësia me parimin 1 anëtar, 1 votë.
4. Zyrtarizimi i listës nga kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.
Siç thonë burime nga PD, të vetmit që nuk do të mund të jenë pjese e garës janë personat që janë subjekt i ligjit te Dekriminalizimit, kanë qenë funksionar të lartë para viteve 90 apo bashkëpunëtor te sigurimit të shtetit.
Gratë, te rinjtë, te përndjekurit dhe pronarët do përfaqësohen gjithashtu në listën e deputeteve të PD, thonë të njëjtat burime.