“Më shumë puthje se fjalë/ Poetja Irma Kurti përkthehet në rumanisht

Poetja shqiptare Irma Kurti përkthehet në rumanisht. Ajo prezantohet përpara lexuesit me përmbledhjen me poezi: “Më shumë puthje se fjalë”. Vargjet janë përkthyer nga Baki Ymeri dhe shoqërohen me imazhe të fotografit Biagio Fortini. Vëllimi hapet me disa shënime kritike mbi krijimtarinë e poetes shqiptare. Gazetarja Grazia Pia Licheri shkruan: “Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale.

Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe artifice letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj.” Poeti dhe kritiku letrar Lorenzo Spurio shprehet kështu: “E predispozuar në mënyrë të veçantë dhe e pandashme nga tematikat e një sentimenti autentik dhe gjithëpërfshirës, të analizuara me qartësi, pa fanatizëm apo peripeci të guximshme, Kurti ngrihet si mbrojtëse e një bote të humbur, të përbërë nga ngjyra, siguri dhe gëzime me familjen, që ka gdhendur tek ajo, jo vetëm mësimin që çdo bërthamë familjeje duhet të ofrojë, po dhe dashurinë për jetën, për tokën, respektin, vlerësimin për të tjerët, përkujdesjen për ndjenjën e përkimit të dyfishtë të tokave të ndara nga një rrip uji.

Për Irma Kurtin poezia është një mjet themelor komunikimi që, ndoshta, ndryshe s’mund të ishte aq i thellë e, në të njëjtën kohë, materie e mrekullueshme që shëron dhe ruan, kur është e nevojshme, trupin: një shoqëruese e urtë dhe testament i jetës.” Irma Kurti ka botuar nëntëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Jeton në Bergamo të Italisë.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments