Për PD-në e të djathtës dhe për opozicionin, jo për Lulzim Bashën

Nga Vehap Kola

Drejtimi i Partisë Republikane ishte kundër kandidaturës së Trump. Ai fitoi votën e bazës së partisë, por kundërshtia ndaj tij nuk u zbut mes figurave kryesore të saj. Sot e kësaj ditë një pjesë e kritikëve më të mëdhenj të Trump janë pikërisht kjo elitë republikane.

Megjithatë, ata mbeten prapë pjesë e trupës konservatore të politikës ndërsa Trump është figura qëndrore e partisë së tyre. Me këtë frymë, tentativat demokratëve për shkarkimin e Presidentit u hodhën poshtë nga të gjithë përfaqësuesit republikanë në Kongres dhe Senat.

Ky model bashkëjetese ndërmjet kundërshtarëve mund të shërbejë edhe për PD-në. PD është partia e hapur e të gjithë flukseve dhe grupimeve të së djathtës. Konservatorët, libertarianët, mbështetësit e Bashës, mbështetësit e Topallit dhe Patozit, etj e kanë të gjithë vendin në PD. Pajtohen apo nuk pajtohen me Lulzim Bashën kjo nuk përcakton qëndrimin e tyre brenda apo jashtë PD-së.

PD është shumë e madhe për një luftë përfundimtare “o unë o ti”. Dikush do ta fitonte lidershipin e kësaj partie. Nuk është fundi i botës që platforma dhe kandidatura e dikujt nuk triumfoi. Vizionet ekskluziviste nuk shkojnë në të djathtë. Një propozim mund të jetë i parakohshëm, një tjetri mund t’i ketë ikur momenti dhe nuk do të pranohet kurrë.

Ndërkohë, karriera në politikë skualifikon sepse hierarkia është piramidale. Të gjithë nuk do të bëhen kryetarë. Të gjithë nuk do të bëhen kryeministra. Majën do ta arrijë vetëm kandidatura në të cilën kombinohen më mirë të gjithë faktorët personalitarë e kontekstualë në momentin e duhur të kohës.

Por të djathtëve nuk u ka hije të bëhen inatçorë. Politika në të djathtë nuk është profesion i jetës. Përfshirja në politikë vjen si një kulmim i natyrshëm i sensit të misionit në njerëz të kthjellët dhe të përmbushur si individë, si profesionistë a sipërmarrës, si burra e gra dhe si qytetarë të përgjegjshëm.

Rrugëtimi në politikë ka gjithnjë dyer anësore prej nga dalin ata që nuk i nxë korsia gjithnjë e më e ngushtë e karrierës. Por ato dyer nuk të hedhin në ferr. Përmes tyre të djathtët u kthehen rrugëve të tyre të mëparshme dhe vazhdojnë jetën normale. Vetëm ata që s’kanë asgjë për të dhënë në jetën e tyre si njerëz normalë nuk mund ta pranojnë këtë alternativë.

Po edhe për të rezistuar në korsinë gjithnjë e më të ngushtë që shpie drejt karriges së fundit dhe më të lartë duhet shumë energji, shumë kompromis dhe sigurisht sens i fortë mbijetese, që shumicës së njerëzve u mungon.

Të dalësh jashtë trasesë së karrierës partiake nuk të jep të drejtën të bëhesh armiku më i pamëshirshëm i subjektit politik. Kjo është vija ndarëse ndërmjet njerëzve që kërkojnë të kontribuojnë dhe njerëzve që synojnë ta shfrytëzojnë politikën për qëllimet egoiste të tyre. Tamam si konvertitët e rinj që shndërrohen beftas në kritizerët më armiqësorë të një feje, duke shpalosur kështu se qëllimi i tyre nuk paskësh qenë kërkimi i të vërtetës për shpëtimin personal.

Ndërkohë, edhe ata që ia dalin në karrierën politike duhet të jenë më tolerues dhe mirëkuptues për të pakënaqurit. Nuk është e thjeshtë të shohësh vizionin tënd të thërrmohet nga një garë apo edhe nga një shkathtësi politike e padrejtë. Aq më relative bëhet situata kur besojmë se ekzistojnë një shumësi interpretimesh mbi rezultatet e luftës për pushtet brenda një partie politike. Arsyeja dhe mosarsyeja, por edhe subjektiviteti i palëve, si dhe pandershmëria tipike e ndeshjeve politike nuk lënë vend për gjykime të prera.

Kjo nuk do të thotë se është i mundur ndonjë pajtim i madh, por është e mundshme që të triumfojë një raport virtyti. Fituesit të jenë më tolerues dhe të pakënaqurit më dinjitozë. PD-ja nuk është as Lulzim Basha, as Jozefina Topalli, as Eduard Selami, as Astrit Patozi. PD është lokomotiva politike e të djathtës, por s’do të jetë kurrë një rreshtore ushtarake. Një ditë këta emra nuk do të jenë në krye të PDsë siç nuk është sot Sali Berisha.

E gërshetuar kjo me skenarin e mbajtjes së Ramës në pushtet, çdo shizëm jo vetëm brenda PD-së por edhe ndërmjet gjithë fraksioneve opozitare bëhet moralisht e dënueshme. Është koha të tejkalohen këto ndasi relative për të shpëtuar vendin nga spiralja e fragmentimit dhe rrënimit ku e ka futur Rama.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments