Poetja shqiptare Irma Kurti në tregun botëror të muzikës.
Shtëpia diskografike italiane Jaywork Records hedh në tregun ndërkombëtar muzikor bashkëpunimin më të ri poetes Irma Kurti dhe kompozitorit Galliano Borsato titulluar: “Hard to kiss you” (Vështirë të të puth) nën interpretimin e këngëtares Nicole Galie.
Kjo e fundit ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut me zërin e veçantë dhe plot muzikalitet. Kënga është orkestruar nga Galliano Borsato e Luigi Stefanini dhe është regjistruar, miksuar e masterizuar pranë Newsin Studio në Venecia të Italisë.
Irma Kurti poete dhe shkrimtare me banim në Itali e ka nisur karrierën si autore e teksteve të këngëve në vitin 1983. Këngët me tekstet e saj duke filluar nga “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “E njejta ëndërr”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Shikomë në sy”, “Trokite tek dera” “Të jem për ty Number 1”, “Befas zgjohem” etj., janë kthyer në hite të muzikës së lehtë shqiptare.
Me kompozitorin Borsato veç këngëve në gjuhën angleze dhe italiane kanë sjellë edhe këngë në gjuhën shqipe, duke përfshirë artistë të njohur shqiptarë, projekt ky që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.