Kimi nga Shkupi, Rroni nga Prishtina dhe Tirana e Facebook-ut.

Nga Aurel Rakipllari.

“Tirana e sotme ka dy zgjidhje: o do e rikthejë fytyrën e bukur të saj dhe kujtesën për të shkuarën e lavdishme teatrore, o do bëhet me dy piramidat të tragjedisë dhe turpit të vet – atë të Enverit dhe këtë të renë të Piktorit!”. Këto janë fjalët e shkrimtarit dhe publicistit nga Shkupi Kim Mehmeti, i cili në një postim të tijin në Facebook, shprehet se në Shqipëri edhe zyrtarisht ka nisur lufta e pakompromis mes qytetarisë së prirë nga artistët shqiptarë dhe barbarisë, të kryesuar nga Piktori, siç pëlqen ai ta emërtojë kryeministrin Edi Rama dhe ‘Rilindasit’ e tij.

Teksa Mehmeti shkruante këto fjalë, kilometra larg, në studion e “Pressing” në T7, një tjetër shqiptar, tashmë nga Prishtina, do t’ia plaste në sy kryeministrit të Tiranës se sjelljet e qeverisë, bashkisë dhe policisë gjatë dy ditëve të fundit me godinën e Teatrit Kombëtar nuk janë gjë tjetër veçse shërbimi i radhës që mazhoranca iu bën oligarkëve. Ky ishte Rron Gjinovci, i cili u bë viral në rrjetet sociale edhe në Shqipëri me debatin e tij përballë Ramës.

Nga ana tjetër, studiot kryesore televizive të Tiranës kishin të ftuar ndoshta 2 “fajtorë” të tjerë, ndoshta me qëllimin për t’i pastruar pak përballë asaj që i kishin bërë Tiranës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe bazave të demokracisë në vend. Edhe gazetarët e Tiranës e dinë të vërtetën, e dinë se çfarë fshihet pas projektit për “Teatrin e ri Kombëtar”, por nuk guxojnë ta shprehin. Madje në Tiranë ka prej atyre analistësh e gazetarësh që edhe pse në mes të Tiranës iu tërhoqën zvarrë kolegët, nuk denjuan të flisnin një fjalë sepse sipas tyre Edi Rama sërish mbetet më i mirë se paraardhësi i tij. Edhe kur në mënyrë të paligjshme trualli i Teatrit Kombëtar i kaloi Bashkisë së Tiranës e kur Këshilli i kësaj të fundit “firmosi” hajdutçe shembjen e tij, prapë nuk ua dëgjuam zërin.

Kimi në Shkup e Rroni në Prishtinë e thonë pa drojë se e dinë që atje ku janë askush nuk i shantazhon dot, as i blen dot e as i bllokon dot me “Acromax”. Tek ata nuk arrin dot dora “redaktuese” e Fugës (jo filozofit) e ndaj tyre, nuk mund të përdorësh as ushtrinë e sufllaqexhinjve, nga bodrume të institucioneve, që mbahen më këmbë nga taksat tona, i thurin elozhe shefit të tyre dhe mallkojnë kundërshtarët e tij.

Por ajo çfarë deklarojnë Mehmeti dhe Gjinovci shkojnë përtej ideve dhe bindjeve të tyre, cilado qofshin. Ndryshe nga ne të Shqipërisë që kemi vite të mësuar me rrënimin dhe shkatërrimin e përditshëm të Tiranës, ata te kryeqyteti i shqiptarëve shohin nostalgjinë, mallin, mëmëdheun e munguar ndaj dhe çdo copë historie që i hiqet Tiranës për ta është largim nga ëndrra “Shqipëri” që i ka mbajtur në këmbë dhe gjallë edhe atëherë kur një vizitë në Shqipëri ishte ëndërr në sirtar.

Ndaj dhe analizat e Kim Mehmetit dhe debati i djeshëm i Rron Gjinvcit me Edi Ramën bëhen virale edhe në Tiranë. Sepse ne të Tiranës, pavarësisht se i dimë dhe i përjetojmë çdo ditë të vërtetat që ata thonë, i shijojmë më shumë kur na i thonë ata që janë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. Madje, ne presim që ato të na i thonë ndërkombëtarët, madje edhe të na shpëtojnë ata.

Ne u mësuam tashmë edhe me arrogancën, edhe me pandëshkueshmërinë, edhe me mungesën e shtetit ligjor, edhe me mediat e gazetarët e blerë, edhe me rrënimin e historisë, ndaj kur të tjerët na i përsërisin të vërtetat që i dimë iu bëjmë “Like”, iu bëjmë “Share”, por mbetemi me aq. Na mjafton revolta facebook-iane. Aty rebelohemi, bërtasim, shajmë dhe protestojmë, por kur na duhet të dalim në rrugë presim të na prijë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. E kur këta të fundit dalin aty, prapë nuk shkojmë se ne jemi brezi i Facebook-ut. Çdo gjë e themi aty e kur na duhet të reagojmë zgjedhim të marrim avionin e të ikim se sa të dalim e të protestojmë…

Ne jemi brezi që kënaqemi me një selfie apo me një foto të shtrirë në plazhet e bukura të Shqipërisë apo të ulur në kafenetë e shumta të Tiranës. Madje edhe fotot e rrënuara të Teatrit Kombëtar i postuam dhe ripostuam si një trend i rrjeteve sociale dhe jo si një revoltë ndaj aktit anti-kushtetues dhe anti-human… E ndoshta pas disa ditësh do t’i harrojmë, siç kemi harruar shumëçka deri më sot.

Kimi dhe Rroni le të vazhdojnë të qajnë fatin e Shqipërisë, ne kryeministri na i rihapi kafenetë nga ku në apati do të vazhdojmë të shohim se si na rrëshket Shqipëria para syve…

5 1 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments