Albert Avduli/ Kur zgjohet Tirana, dridhet Tirani.

Varfëria – Epidemia vrasëse ! Në periudhën 10 javore të izolimit, dy elementë spikatën me praninë e tyre, varfëria në gjithë lakuriqësinë e saj dhe këshillat mjekësore të kryemjekut qeveritar. Në letargjinë e pastinëshme ku na futi virusi, por më tepër qeveria, patëm kohë të reflektonim për vezullimin e zi të mjerimit shqiptar. U akumulua urrejtje dhe energji. Pritej vetëm hapja zyrtare që ky uragan të shpërthente. Pikërisht për të shmangur këtë furtunë gjithëpërfshirëse, vrapoj qeveria të tërhiqte vëmendjen me prishjen e Teatrit Kombëtar. Jo se nuk e kishte në plan, por kur priti 27 muaj, mund ta shtynte shkatërrimin edhe tre muaj të tjerë. I paudhi nuk ecën rrugës, nuk i duhen rrugët, ai i prish ato, ai është djalli Aleanca për mbrojtjen e teatrit ka bërë akuza për afera korruptive me atë sipërfaqe trualli.

Babëzia ha dhe arsyen për ta bërë zullumin të shfaqet si tymi para zjarrit. Ata vepruan natën si bandë plaçkitësish. E prishën aq nxitimthi sa mund të kishin marrë jetë njerëzish nën rrënojat e tij. E prishën dhe paturpësisht thonë se artistët mund t’i drejtohen gjykatës. Kujt gjykate ? A ka të tilla ? Njëlloj si etërit që pushkatonin në dt 1 shkurt dhe vendimin për dënim me vdekje e merrnin më dt 5 shkurt. Raste të trajtuara në shtyp këto të pushkatimeve dhe me dokumenta autentike. Dashuria për traditën, kulturën, artin, sportin, ka rëndësi të posaçme për kultivimin e një populli. Shoqëritë vlerësohen për shkallën e emancipomit të tyre, nga mënyra si reagojnë ndaj artit dhe trashëgimisë kulturore.

Tirana reagoi duke krijuar shpresë Teatri dhe kultura janë thelbësore, por mbeten në hije përballë urisë. Se në kryeqytetin e vendit, kinematë u janë falur klientëve. Kujtoni kinema ” Republika ” ! Në truallin e saj valëvitet një pallat. Kinema ” 17 Nëntori”. . . Pallat dhe qëndër tregtare po ashtu. Kush firmosi tjetërsimin e tyre ? I njëjti autor firmëtar. Kujtoni, kujtoni kush i transformoi në bingo ambjentet e këtij teatri, i cili u shëmb ! ? ! E njëjta dorë dhe mendje. Tirana doli nga apatia këtë radhë. E prishën në pragmbarimi të izolimit për të segmentuar urrejtjen. Ata menduan se pamundësia e xhepave i ka varfëruar shpirtërisht të gjithë shqiptarët. U vërtetua e kundërta. Rënia e asaj vepre duket se do jetë pararendëse e rrokullimës së banditizmit shtetëror. Të rikthehem te varfëria. . . Ai fenomen vret deri në qelizë, deri në gen. Të gjithë e dinë si vret, por po përsërit. Mjerimi vret mendimin dhe guximin për të luftuar, kërkuar, përpjekur.

Varfëria e vret virtytin dhe krenarinë e kujtdo. Sillni në kujtesë pozat dhe qëndrimet që mernin familjarët para pakos mjerane, e cila ju jepej nga disa palaço pushteti. Puthnin duart e jepnin urime, falnin ditë jete dhe ju ngjallej biri vdekur për dy qeska orizi. Nuk po fantazoj, rubrikat televizive na i sillnin çdo orë në ekrane. Ai burrë, ajo grua është poshtëruar deri në qelizë. Ai prind nuk ka më pushtet, ndikim dhe shëmbull te fëmijët e tij. Ai nuk është më heroi i vuajtur i fëmijëve të tij. Jo. Ai është lypësi, që nesër shet votën e shpirtin. Ai është skllavi që puth këmbën e atij që fshikullon kamzhikun e urisë. Biri adoleshent do mari rrugët e krimit për të siguruar bukën. Vajza 16 vjeçare do shes trupin dhe turpin për një fustan basme. Kjo është pandemi vrasëse. Epidemia të lodh e të frikëson për një a dy muaj. Varfëria nuk është periodike. Ajo mbisundon shumicën, të shumtën e ditëve të vitit. Varfëri ka patur e do të ketë, po mendon dikush. Sigurisht po, por detyrë e qeverisë dhe shoqërisë është zbutja e saj, ulja e numërit të familjeve në gjëndje të tillë.

A ka mundësi reale Shqipëria ? Mendoj se po, pavarësisht se jemi një shtet me mundësi të pakta. Mundësi të pakta, resurse të shumta. Po, ky vend mund ta uli varfërinë. Strategjia për ta mundur këtë të keqe është vetëm një; ndershmëria. Po, po kaq mjafton. Administrimi me korrektësi i fondeve publike dhe orientimi i drejtë në shpërndarjen e tyre. Nuk ka nevojë për mëshirë, zemërgjerësi, foto dhe babaxhanë makaronash. A e dinë zyrtarët tanë këtë rrugë të thjeshtë tokësore ? E dinë, por i duan të mjerë, që herë mbas here të marrin falënderime për një thes miell e një shishe vaji te pragu i derës.

Këta zyrtarë, më shumë duan dhe duhen nga milionerët x, y, z etjer, të cilëve ju kalojnë taksat tona, gjakun e të varfërve. Varfëria zbutet, nuk zhduket. Shqetësues është fakti, kur familjet e varfëra janë mbisunduese në numër mbi familjet e mesme. Ky fenomen ka marr përmasa të frikëshme. Rrjetet sociale dhe mediat vlonin nga faktimi i varfërisë dhe neveria ndaj qeskave, mashtrimeve, vjedhjeve. Abuzimet vazhdonin në gjithë ato ditë fatkeqësie. Lëvroheshin miliona për subjekte private, por nuk kishte financa për të përballuar fatkeqësinë. Pikë mëshire nuk u shfaq. Vetëm ujë dhe sapun ju këshillohej shqiptarëve. Ai sapun kishte shije djathi sepse urdhërohej nga sanitari i çifligut shtetëror. Mjerimi ka zënë nën vete afro 60 % të familjeve shqiptare.

Hipokrizi denigruese ishte p.sh nisja e ekipit me 5 fuoristrada dhe skuadër kameramanësh për dërgimin e dy pakove ushqime në familjet nevojtare. I sigurt se ato pako ushqimore vlenin jo më tepër 5000 lekë të reja. Nafta e automjeteve vlente afro 20 mijë lekë të reja A u tërhoq vëmendja plotësisht nga ky realitet ? Nuk mundet kurrësesi Lëvizja e menduar si strategji shpëtuese për prishjen e teatrit në këto ditë, veç e shtoj urrejtjen. Krijoj një tjetër vatër mllefi ndaj uzurpuesve. E qartë si drita e diellit, se te ato fadroma dhe policë manekinë, fshihen miliona euro vjedhje. Mali i dhimbjes do të shkarkohet një ditë mbi autorët e projektimit të këtij realiteti. Kur zgjohet Tirana, dridhet Tirani.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments