Grida Duma: PD të hapet në të gjitha dimensionet, t’u njihen meritat demokratëve sakrifikues

0

Ish-deputetja Grida Duma thotë se tashmë pas 7 vitesh opozitarizëm “ka rrjedhur koha e nevojshme” për të prodhuar strategjinë fituese e cila do të sjellë Partinë Demokratike në pushtet.

“PD po i afrohet momenteve vendimtare të betejës së vet duke akumuluar përvojën thuajse unike të sakrificës së një force opozitare”, tha Duma në një intervistë për gazetarin e newsbomb.al Ilir Xhafaj. Sipas saj, është koha që Partia të hapet në të gjitha dimensionet e saj, duke u mbështetur mbi të gjitha tek demokratët sakrifikues dhe duke i siguruar ata për meritën e kontributit të tyre.

Ndërkohë, referuar situatës së vështirë që po kalon vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit, ish-deputetja Duma u shpreh se personalisht i ka respektuar me rigorozitet masat e qeverisë, por mungesa e testimeve sipas saj bëri që periudha e izolimit të jetë më e gjatë dhe shkaktoi “pandeminë ekonomike”.

E pyetur për nivelin e përballjes së opozitës me qeverinë, demokratja Grida Duma u shpreh se aksioni në kohë izolimi nuk është i gjykueshëm si në kohë normale, por shtoi se PD tashmë është gati për të ndërmarrë hapat e rradhës.

Intervista e plotë e ish-deputetes së PD Grida Duma për gazetarin e newsbomb.al Ilir Xhafaj:

Zonja Duma, së pari uroj të jeni mirë familjarisht në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë. Nga postimet në rrjetet sociale dhe daljet në media, kam vënë re se ju keni qenë një ndër politikanet më aktive, dhe mesa duket izolimi ka qenë pak më lehtë për juve, apo jo?

-E vështirë për mua është të pranoj që krizat kalohen duke u tërhequr në pasivitet.  Kam qenë aktive sepse e di çfarë pritet nga ne dhe nga unë. Ajo ç’ka keni parë nga ekranet është shumë pak në raport me atë që kemi bërë për tju gjendur pranë njerëzve. 

Por duhet thënë që përgjatë jetës të gjithë duhet të dinë të përshtaten deri në atë pikë që ta pranojnë realitetin pa u mbytur nga e papritura që na godet. 

Si keni arritur ta menaxhoni kohën, mes politikës dhe univeristetit, sepse ju jeni dhe pedagoge? 

-Leksionet online sigurisht janë një mjet por shumë i pamjaftueshëm për të zëvendësuar leksionet në auditore. Platformat në të cilat pedagogët japin leksione nuk janë ndërvepruese dhe kjo e bën shumë pak efiçiente marrjen e leksionit. Por nga ana tjetër unë besoj që mbyllja dhe pamundësia ka krijuar një lidhje shumë më të ngrohtë mes pedagogëve dhe studentëve. Kam bindjen që çdo pedagog është njëkohësisht dhe një njeri i përfshirë në përjetimet e tyre dhe veshtiresitë që kanë. Kthehet në një njeri të familjes. Sepse bisedat nisin me atë çka po kalohet, si përballohet mbyllja dhe mungesa e rrogave apo parave në familjet e tyre e më pas vijon tek leksioni. S’mund të jesh një profesor i dijes nëse nuk di çfarë është më e rëndësishmja në jetën e një studenti!

A i keni respektuar masat e izolimit? Si ju duken vendimet e qeverisë? 

-I kam respektuar rigorozisht, ndërsa kam konstatuar që në Tiranë gjatë paraditeve masa e njerëzve që lëviznin nuk i korrespondonte sigurisë së kërkuar. Vendimi i karantinimit u kërkua nga ne që në momentet e para sepse ishte i duhuri. Mungesa e testimeve masive e çoi Shqipërinë në zgjatjen e periudhes se izolimit dhe në pandemi ekonomike. Mbyllja dhe ulja e levës së ekonomisë për një situatë e çila nuk rezultoi deri sot të ishte e përmasës së vendeve afër, duhej të ishte më e shkurtër. Kjo bëhej vetëm nëse shpenzohej sa duhej për testime massive. Rama veproi me formulën Humbje /Humbje. Nuk testoi masivisht / bllokoi gjerësisisht ekonominë/ ekonomia u dëmtua plotësisht. 

Po opozita sipas jush, a ka qenë në nivelin e duhur në përballje me qeverinë? Ne opinionin publik është krijuar ideja se aksioni opozitar është zbehur.

-Opozita mbajti një prioritet, të siguronte shqiptarët që në momentet kur jeta e tyre rrezikohet atëherë përballja politike është vetëm për mbrojtjen e tyre. Aksioni i duhur është aksioni që përcakton sa i kemi mbrojtur qytetarët dhe sa kemi mbrojtur interesin publik. Presioni ka qenë i të gjitha dimensioneve sa propozime për paketën ekonomike të ndihmës dhe goditje për çdo aferë. 

Aksioni në kohë izolimesh nuk është i gjykueshëm si në kohë normale. Tashmë pritet dhe do të bëjmë hapat e radhës.

Mendoni se pavarësisht periudhës së pandemisë, qeveria duhet të përgjigjet për vendimet e saj, pra a është tani koha për politikë?

-Koha për politikë është titulli i librit tim të botuar që Tetor, koha për politikë dhe nevoja për politikë reale ështē evidente, tani edhe më shumë. Nuk duhen ngatërruar vendimet personale dhe autokracitë që gjithmonë prodhojnê politikën personale që jeni mësuar ta quani politikë me politikën reale. Dëm i madh ky. Kudo përmendet “spo e bëj për politikë”, kompleks hipokrit. Nderkohë qe gjithçka çdo vendim ështē politik ne fakt.  Nuk duhet më politikë?! Po mirë të ndalojë dhe qeveria punën, se çdo mëngjes vendime politike merren!  Çdo kush dhe ata që dikur nuk merreshin kanë më shumë arsye për të bërë politikë tani.

Politika vendos edhe për pagën e luftës edhe për kush do marrë  ndihmë ekonomike, edhe për taksat fiskale, edhe për kreditimet, edhe për orën e lëvizjes dhe orën e mbylljes. Politika po vendos të udhëheqë akrepat e orës por ju thoni lëreni ta bëjë këtë vetëm njëra palë ta bëjnë ata jo ju!! Kush e guxon këtë!! Edhe nëse e guxojnë i duhet treguar politikisht më fort që nuk lëmë të bëjnë politikë vetëm një palë të cilët në mungesë të palës tjetër do përfundojnë të abuzojnë. 

Referuar denoncimeve të fundit të PD për tenderat sekretë dhe blerjen e pajisjeve mjekësore me çmime më të larta se tregu, mendoni se është koha që qytetarët të ngrihen në protesta?

-Besoj tek protesta si një mjet i domosdoshëm por jo i vetëm. Forca e protestave as duhet konsumuar as duhet relativizuar. Nëse protestat nuk bashkërendohen me disa vektorë të tjerë nuk e mbajnë dot peshën e ndryshimit të këtij regjimi. Të protestosh dhe pastaj të mbyllesh në shtëpi për shkak të situatës së pandemisë që nuk lejon një një vijueshmëri të aksionit politik, është si të fusësh elefantin në dhomë.  

Zonja Duma, ju keni kritikuar qeverinë për menaxhimin e situatës në fasoneritë e Krujës, çfarë mund të bëhej më mirë sipas jush? A i besoni shifrat zyrtare të pandemisë në Shqipëri?

-Fasoneritë duhej te ishin mbyllur për të siguruar jetën e mijëra grave dhe familjeve të tyre, për të ndihmuar biznesin fason dhe punonjëset zonja me paga nga qeveria, fasoneritë janë vende grumbullimi masiv që kanë potencial dhe rrisk të lartë për përhapjen e virusit duke rriskuar punonjëset por edhe shoqërinë. Shqipëria pak vende ka me aq grumbullim masiv.

Mosmbyllja me ligj e fasonerive dhe vendosja me detyrim e gjasme kushteve për distancë rriti koston për pronarët e fasonerive, rriskoi dhe rriskon jetën e zonjave që punojnë aty. Ta marrim të mirëqenë distancimin në ambjentin e punës, po transporti i zonjave? Po qëndrimi i gjatë 8 orë në ambjent të mbyllur? 

Trajtimi që iu bë punonjëseve të fasonerisë ishte skllavërues, trajtimi që ju bë bizneseve të fasonerisë diskriminues!

Po dy paketat ekonomike të qeverisë për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe njerëzve në nevojë, mendoni se janë të duhurat? 

-Deri më sot asnjë nga paketat nuk ështē ndihmë drejtperdrejt për biznesin. Paketat janë shfaqje me tre kohë që mbyllen me një epilog dështues në një kohë. 

Nuk ka paketë ekonomike, ka një 260 mijë lekësh të vjetër për biznesin e vogël, pako ushqimore tallëse thuajse 10 mijë lekëshe e vjetër,  400 mijë lekë te vjetra për punëtorët e kompanive të miqve. Kjo nuk është paketë është paçavure që shitet në ekrane këto tridhjetë ditë, tre herë në ditë, mëngjes drekë e darkë ndërsa ata pak fatlumë që mund ti kenë marrë i kanë mbaruar që ditën e tretë. 

Është urgjent trefishimi i ndihmës financiare. Mjafton t’ju them që pa prekur buxhetin vetëm me 200 milion euro që priten nga FMN dhe 50 milion nga BE duhet që ndihma financiare të trefishohet. 

“Shteti drejtohet nga Facebook-u” jeni shprehur ju ditë më parë. Si ju duken vendimet e kryeministrit Rama, sepse është ai që fillimisht i lajmëron ato në Facebook dhe më pas bëhen akte normative e nxiren vendime nga Ministritë përkatëse?

-Problemi më serioz është çfarë përfaqësojnë këto akte normative, mbi të gjitha. Është fakt i vjetër që Rama e ka private qeverisjen, i ka zhdukur institucionet, nuk ekziston shteti por ky individi. Nëse ka rënë shteti, ka rënë së pari se mbështetet në një parlament antikushtetues, diskutimet e tjera janë ledhatime që i shkojnë përshtat atij që i stis për të tërhequr publikun në atë rrugë.  

Si një politikane dhe personazh shumë i ndjekur në rrjetet sociale, ju ndani me ndjekësit shpesh fjalime motivuese, që realisht kanë interaktivitet të lartë. Cila është këshilla e Grida Dumës për shqiptarët që këto ditë të vështira t’i kalojnë sa më mirë?

-Ne duhet të kuptojmë që çdo gjë që na vjen përballë qoftë kjo një fatkeqësi e natyrës apo e njeriut kemi vetem një shans, ta përballojmë. Pas kësaj duhet të kemi qartësinë që të gjitha kohërat kanë demonët e vet. Djajtë më të këqinj në situata të këqija janë ata që na bindin që nuk ja dalim dot, që pas kësaj vjen rrënimi. Jo asnjëherë në histori, në ngjarje qoftë edhe fatkeqësi nuk ka pasur vetëm një “faqe”. Edhe fatkeqësitë janë rryma të mëdha lëvizëse, kanë potencialin që në këto lëvizje të mund ti përdorim dhe për të përfituar nga to. 

Shqipëtarët ndonëse paragjykohen që nuk ndryshojnë dot thjesht, në fakt kanë kapacitete të larta të përshtatjes dhe arritjes së një rezultati në kohë krizash sepse kanë bashkëjetuar me krizat shumë gjatë. Është një krizë që sjell një ndryshim që duhet shfrytëzuar. Secili të mendojë se si ky ndryshim duhet përdorur për më mirë.

Pas pandemisë gjërat nuk do jenë më njësoj, a mund të themi që do të ndryshojnë gjërat edhe për PD?

-Partia Demokratike është forca që do të sjellë ndryshimin. Aftësia e saj për të lexuar dhe pararendur ndryshimet e nevojshme përcakton fitoren e saj.

PD prej vitesh pëson procese transformuese të cilat janë procese që mund të shoqërohen edhe nga kritikat edhe nga pëlqimet.

PD po i afrohet momenteve vendimtare të betejës së vet duke akumuluar përvojën thuajse unike të sakrificës së një force opozitare. Është aset i madh eksperienca e fituar dhe sakrifica e kryer në shtatë vite opozitarizëm, është kolaterali më i madh që ka. Gjatë këtyre viteve ka rrjedhur koha e nevojshme për të prodhuar një strategji fituese. Për këtë PD ka të gjithë mundësinë që tani të kryejë ndryshime atje ku duhet dhe të ruajë kontributet dhe meritat në kollonat e veta më të forta.

E mbështetur mbi të gjitha tek demokratët sakrifikues, duke i siguruar ata për meritën e kontributit të tyre, PD e trupëzon ndryshimin me hapjen e partisë në të gjitha dimensionet, mbi bazamentin që ka krijuar me demokratët të parët.

Ka shumë për të bërë kur PD të jetë në qeverisje, të aftët dhe të sakrifikuarit të cilët janë shumë, do duhet të ngjiten në lartësinë e misionit të vet. Kjo kontratë merite dhe kontributi siguron ndryshimin. 

Ilir XHAFAJ për Newsbomb.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author