Gjykatat rifillojnë punën pas më shumë se 6 javësh, por…

Aktualitet

KLGJ ka vendosur që ditën e sotme të rifillojë gjykimi i dosjeve vetëm për ‘çështjet e ngutshme’, të cilat do të bëhen nën masa të rrepta sigurie për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Të gjitha “çështjet penale jo të ngutshme” do të vazhdojnë të jenë të pezulluara, ashtu si ato administrative dhe civile.

Gjithashtu të pezulluara janë edhe afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedurial në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme.

Njoftimi i KLGJ:

Në vijim të vendimit që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë në datën 27 prill 2020, në interes të informimit të vazhdueshëm të publikut dhe të medias, sqarojmë si më poshtë:

Ditën e hënë, datë 27 prill 2020, gjykatat do të rifillojnë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë të kufizuar, sipas dhe në respektim të përcaktimeve të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.

Seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat.

Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë ngutshme. Ato do të kryejnë edhe çdo aktivitet tjetër gjyqësor që nuk kufizohet nga fusha e veprimit të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, si dhe që është i mundur të kryhet në kushtet e kufizimeve të vendosura për popullatën në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Ju lutemi të paraqiteni pranë gjykatave VETËM nëse keni një çështje të ngutshme, kur diçka e tillë ju është komunikuar prej personelit të gjykatës. Nëse nuk ju kanë kontaktuar nga gjykata, komunikoni me gjykatën nëpërmjet telefonit/postës elektronike (e-mail), përpara se të paraqiteni fizikisht pranë saj.

Të gjitha gjykatat duhet të respektojnë rigorozisht masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në këto masa përfshihen dezinfektimi, pastrimi i rregullt, mbajtja e distancës prej 2 metrash midis të gjithë individëve në gjykatë, si midis personelit gjyqësor, ashtu edhe përdoruesve të gjykatës, marrja e masave për pajisjet mbrojtëse personale, si maska, doreza, etj. Në lidhje me këto, Këshilli po përgatit rregulla të hollësishme.

Një komision i posaçëm është krijuar dhe po punon intensivisht për për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Qëllimi i hartimit të planit të punës është rikthimi iveprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në mënyrë graduale, duke patur si prioritet mbrojtjen sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave.

Pas marrjes së vendimeve, Këshilli do vijojë publikimin e përditësimeve përkatëse. Këshilli do të punojë me çdo gjykatë sipas nevojave, si dhe do të përgatisë një plan veprimi dhe udhëzime për të vënë sërish në punë gjithnjë e më tepër elementë të shërbimeve gjyqësore në të gjithë vendin, në rrugën më të sigurt të mundshme.

Shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë është po aq e rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron shëndet dhe siguri!

Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:

Faqet zyrtare të Gjykatave

Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)

Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?