Nga Farie Kozeli/ Varfëria…
Varfëria vret më shumë nga epidemia
Ka dy muaj që popujt po ndeshen me pandeminë e një virusi vrasës.
Midis tyre edhe shqiptarët. Gjithë vëmendja e përqëndruar te ilaçet, mjekët, ministra e drejtues.
Mos harroni: uria dhe mjerimi janë virusi që vret përditë. Shohim grupe qeskaxhinjsh duke dhënë lëmosha. Kjo nuk është zgjidhja.
Diagnostikimi duhet vërejtur më me detaje.
Sëmundja më e keqe, më drobitëse për shoqërinë njerëzore është varfëria.
Varfëria është një problem sa mbijetese aq edhe social, kulturor dhe politik. Në popujt ku ekonomia, ka si referim urinë, aty demokracia e ka vështirë të konturohet si formë qeverisje. Se uria të lë peng e të mban kokëulur.
Ndër ata popuj, të cilët motiv të ditës kanë ” bukën e përditëshme na fal o Zot !”, fatkeqësisht është edhe populli jonë.
Qeveria me mekanizmat e saj kanë rolin më të rëndësishëm për uljen e varfërisë, por në këtë vend shteti po bën të kundërtën.
Madje cinizmi i tyre shkon deri aty sa propoganda e sjell varfërinë të zbutur dhe si një gjëndje normale. Rendin kamerat e televizioneve mbas kryetarëve të emëruar të bashkive nëpër dyer familjesh me halle. Në emër të solidaritetit, i shfaqin në çdo ekran aty fytyra të përvuajtura duke mar kilogramin e orizit. I urituri përulet e bëhet rrafsh me tokën. Se buka e fëmijëve o motra e vëllezër, të çon në derë të hasmit, siç thonin gjyshërit tanë.
Pikërisht këtu baltoset bamirësia, sevapi apo sadakaja, quajeni si të doni.
Sa herë dëgjoj lajme me këtë temë, në mëndjen time rënditet lista e gjatë e problemeve të shumta që kemi, një ndër to edhe varfëria.
Varfëria e njerëzve, varfëria shpirtërore (pushtetarët tanë hipokrit e shpirt tharë), kudo varfëri që e shohim të ulur këmbëkryq çdo ditë e më shumë në vendin tonë.
Dhe çfarë bëjmë ne?!!
Heshtim, heshtim pa kuptuar pse ose më saktë nuk duam ta kuptojmë, sepse nuk kemi nerva të meremi me gjëra kaq të prekshme, duke dëshmuar se jemi njerëz me natyrë të dobët dhe heshtja atë sjell….. dobësinë!
Dobësi që nuk përballemi me të vërtetën, dobësi për të luftuar për të drejtat tona….. dobësi për të ngritur zërin…… për të vepruar dhe kundërvepruar…..
Përse ndodh kjo?!!!!
A nuk e shohim këtë realitet ?
Kjo skamje po troket fort dhe plas të sotmen, por bluan dhe të nesërmen.
Varfëria nuk lë mundësi shkollimi, formimi, kulture, iniciativa, mbyt ambiciet. Në këto rrethana, fëmijët e ardhur nga uria, për të mbijetuar, do të përqafojnë të paligjshmen. Këto shtresa janë viktima sot, por edhe produkt i krimit nesër.
A mos vallë nuk besojmë në veten tonë dhe po lejojmë këtë errësirë të na mposht?!!!
Po, është dhe kjo një arsye. Ndihemi inferior ndaj pushtetit, ndaj zyrtarucit më të parë dhe nuk reagojmë.
Heshtim në këtë mizerje ku rebelimi duhet të ishte flamurtar revolte.
Dikur një fjale e urtë thoshte: “Shqiptari për një plesht djeg jorganin”.
Kjo shprehje tregonte temperamentin, padurimin, rrëmbimin dhe vrullin e shqiptarit……
Ndersa sot vëmë re që nuk ekziston më ai vrull, ai shqiptar…….
Sot të gjithë jemi dorëzuar përballë varfërisë, padrejtësive, mashtrimeve dhe këtij regjimi diktatorial që po tenton të instalohet përsëri……
Varfëria duhet të sjelli revolucion!
Duhet të gjithë të ngrihemi kundër këtyre të “gjithëpushtetshmëve”, që kanë në dorë gjithçka dhe refuzojnë të përmirësojnë reformat dhe kushtet ekonomiko-sociale të nje populli kaq të vogël në numër dhe kaq të varfër. Kjo për faktin se gjithë pasuria shkon vetëm për një numër të vogël oligarkësh.
Gjithë pasuria e këtij vendi po udhëhiqet nga injoranca, që është edhe më keq se varfëria, sepse i shtyn gjërat më me forcë në drejtim të gabuar.
Pasanikët e mëdhenj ashtu sikur të varfërit e shumtë nuk e dëgjojnë zërin e arsyes….
Dhe varfëria në vendin tonë është rritur, jo për shkak se nuk mundemi të ushqejmë të varfërit, por për shkak se nuk po mundemi të ngopim të pasurit…..
Sot jemi populli më i varfer në Europë dhe më gjerë, me çmimet më të larta se kudo tjetër, taksat e papërballueshme që vendosen nga pushtetarë të pangopur, për pasuri, papunësia masive, varfëria ekstreme etj.
Në këte vend ka humbur shpresa për një ditë më të mirë……
Këtu ligjet shtypin të varfërit dhe të pasurit sundojnë ligjet…..
Shkaku më i madh i këtyre fatkeqësive është “Heshtja kolektive” ……
Asgjë nuk do të arrinte deri në këtë pikë nëse nuk do të kishim heshtur dhe reaguar…..
Por kurrë nuk është vonë, nëse bëhemi bashkë të gjithë mund t’ja dalim, sepse bashkimi bën fuqinë dhe këtë e kemi mësuar që në kohën e Skënderbehut, heroit tonë kombëtar dhe jo “skënderbeut të spiropalit”…
Ky popull duhet të cohet të luftojë, kundra gjëndjes së tij, për të drejtat e munguara…..
Unë e pasur nuk jam, por as e varfër jo, ama do bëja dhe jepja gjithcka nga vetja, për të fshirë lotët në faqet e një babai, nëne, apo fëmije me barkun dhe duart bosh…
Vendi jonë ka nevojë për një dritë të vogël në fund të tunelit, e cila është drita e shpresës, fitores dhe jetës.
Ajo shpresë jam unë, je ti dhe jemi të gjithë ne rinia, mosha madhore apo mesatare të gjithë pa përjashtim….
Duhet të shkundim apatinë, të mos qëndrojmë pasivë dhe të përgjumur.
Dita është për veprim. Dita është çdo çast
Alexis Tosqueville thotë që:
“Diktaturat lëshojnë shtat gjatë gjumit të ndërgjegjes kolektive”