Mbyllen të gjitha institucionet arsimore deri më 23 mars

Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim sot për mbylljen e institucioneve arsimore, publike dhe jopublike për një periudhë 2-javore, duke filluara nga sot, data 9 mars 2020 për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit. Në një shkresë zyrtare të Ministres Ogerta Manastirliu urdhërohet:

“Mbyllja e institucioneve arsimore publike dhe jopublike për një perudhë dyjavore që nga hyrja në fuqi e këtij urdhri.

Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, ministria përgjegjëse për arsimin dhe institucionet e qeverisjes vendore.”

Menjëherë pas firmosjes së këtij urdhri nga Manastirliu, Ministrja e Arsimit Besa Shahni ka njoftuar në Facebook se institucionet arsimore do të mbyllen deri në 23 mars 2020.

Shahini shkruan: “U vendos nga Task Forca për Koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020. Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.

Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore.

Masat që secili prej nesh duhet të ndërmarrë individualisht:
Të lajmë duart shpesh për 20 sekonda;
Të evitojmë takimin deri në 1 m largësi;
Të evitojmë grumbullimet e njerëzve.

Për më shumë informacion, pak më vonë do të mbaj një konferencë për shtyp.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *